Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate ka kërkuar koncentrim nga lojtarët e tij ndaj Kroacisë ku synim parësor është fitorja dhe jo kalkulimet lidhur me përfundimin e grupit si lider.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Rijekë përfundoi me barazim 0-0, kurse fitorja e kroatëve në minutat e fundit ndaj Spanjës i ka rritur mundësitë e ballkanasve për ta mbyllur grupin si lider.

Kjo sfidë rikthen në memorie edhe gjysmëfinalen e Kupës së Botës të këtij viti, në të cilën Kroacia eliminoi Anglinë pas vazhdimeve, ndërsa Sothgate ka theksuar se nuk do t’i lejojnë gjërat të vendosen nga fati.

“Ne do të futemi në këtë ndeshje vetëm për fitoren, nuk ka kuptim të mendojmë që na nevojitet barazimi 0-0 për t’u mos rrëzuar nga Liga A. Ne kemi mundësi për ta fituar grupin që është shumë i fortë kështu që duhet të fokusohemi vetëm te fitorja”, nënvizoi Southgate.

Ish trajneri i Middlesbrough është ndarë i kënaqur me mënyrën se si skuadra e tij është rritur ndërsa beson se standardi i arritur pas Kupës së Botës i ka ndihmuar “3 luanëve” të përmirësohen edhe më shumë.

Anglia nesër pret Kroacinë në “Wembley” me ndeshjen që fillon në orën 15:00.