Sot vazhdon vaksinimi i personave mbi moshën 65 vjeç, ky është orari

Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeç do të vazhdojë sot në të gjitha komunat, pas ndërprerjes së këtij procesi dje shkaku i festës së Fitër Bajramit.

Vaksinimi do të fillojë nga ora 08:00 e do të zgjasë deri në orën 19:30 dhe do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeçare. Prioritet thuhet se do të kenë ata që janë regjistruar në platformën e-Kosova.

Për banorët e kryeqytetit, vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori”, derisa nëpër komunat e tjera, vaksinimi do të kryhet nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Vaksinimi do të vazhdojë edhe gjatë vikendit në të njëjtin orar. Kujtojmë se Kosova gjatë këtyre ditëve ka pranuar një kontingjent të ri të vaksinave.

Fillimisht të hënën arritën 3 mijë doza ta vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian. Kurse të mërkurën në Kosovë arritën 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX.

Kujtojmë se që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar.