Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar me medalje presidenciale familjet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj e Arben Xheladini, që u vranë në protestat e thirrura nga Albin Kurti kundër pakos së Ahtisaarit.

Osmani sot ka pritur në presidencë familjet e aktivistëve të ndjerë, të cilët nuk i kishte përmendur në fjalimin e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Presidentja derisa ndau këto dekorada, deklaroi se vrasja e Arben Xheladinit ka qenë shkelje e të drejtave të njeriut.

Por dy aktivistët që u vranë nga policia e UNMIK-ut derisa po protestonin nën thirrjet e Albin Kurtit, nuk i kishte përmendur ata dy kur mori pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Fjalimi i saj përbëhej nga qindra fjali, megjithatë, në asnjërën prej tyre ajo nuk ka reaguar, siç bëri sot, për vrasjen e aktivistëve.

Njëjtë, edhe kryeministri Albin Kurti, njëherit lider i Lëvizjes Vetëvendosje, në një takim që pati në tetor të vitit të kaluar me Sekretarin e Përgjithshëm të UNMIK-ut, Zahir Tanin, nuk e  tha asnjë fjalë për Mon Balajn e Arben Xheladinin.

Mon Balaj dhe Arben Xheladini ishin vrarë më 10 shkurt të vitit 2007, nga policia e UNMIK-ut. LVV atë kohë kishte organizuar protesta kundër pakos së Ahtisaarit, të cilën e kanë kundërshtuar për vite radhazi.

Në këtë protestë, kishin mbetur të lënduar rëndë edhe dhjetëra aktivistë të tjerë të kësaj partie.