Sot s’u arrit konsensus për vizat, Çekia thotë se do të provojë ndryshe që “sa më shpejt të kryej punë”

Presidenca çeke, që aktualisht drejton Këshillin e Bashkimit Evropian, thotë se do të vazhdojë përpjekjet për të arritur konsensus për çështjen e liberalizimit të vizave, ndonëse në takimin e dytë të Grupit Punues për Vizat nuk pati rezultat. Praga tani thotë se do ta trajtojë veç e veç me shtete çështjen e liberalizimit për Kosovën.

Duke e pasur parasysh kushtin francez nga takimi i tetorit, që heqja e vizave për kosovarët të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, presidenca çeke kishte vendosur që vendeve anëtare t’ua dërgojë si kompromis edhe propozimin francez. Një muaj më herët, shtete si Suedia, Franca e ndonjë tjetër, ishin rreshtuar krah Francës që kosovarët të mund të udhëtojnë diku kah nëntori në BE kur sistemi ETIAS të hyjë në fuqi. ETIAS është i projektuar të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengenit. Por, disa shtete tjera të Unionit, nuk e kanë mbështetur këtë kusht shtesë të Francës.

Vende si Gjermania kanë deklaruar që kosovarëve duhet t’u hiqen vizat sipas procedurave që janë aplikuar për vendet tjera të Ballkanit. Që i bie se, nëse do të kishte tash një vendim, vizat do të hiqeshin diku në pranverë.

Sidoqoftë, në një komunikatë për media nuk janë dhënë shumë detaje se pse nuk pasur pajtueshmëri në Bruksel.

“Përgjatë një diskutimi të gjatë, nuk është arritur konsensusi. Shtetet anëtare, sidoqoftë, kanë bërë progres të dukshëm në negociata”, thuhet në një deklaratë të Presidencës çeke, pas mbledhjes.

Por, çekët zotohen se do të vazhdojnë diskutimet e ndara me shtete, për të arritur rezultat në këtë çështje. Ata do të kryesojnë me Bashkimin Evropian gjatë 6 mujorit të dytë të këtij dhe do të jenë në krye të Unionit deri në fund të janarit.

“Presidenca do t’u kthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të provojë që sa më shpejt ta kryej punë në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet tutje në deklaratën të Presidencës çeke”.

Sipas njoftimit, sot në mbledhjen e Grupit Punues është diskutuar propozimi që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian e ka mbajtur diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave për Kosovës nën Presidencën Çeke. Shtetet anëtare diskutuan propozimin e Presidencës rreth kërkesës për ta lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS”, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.

Në mbledhjen e grupit punues të vizave në Këshillin e BE-së, që u mbajt më 13 tetor, zyrtarët francezë raportohej se kishin kërkuar që procesi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.