Sot protestohet kundër ndërtimit të saj, por këto ishin disa nga projektet për Xhaminë e Madhe në Prishtinë

Sot nga ora 11:00 do të protestohet kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Protesta është paralajmëruar në lokacionin në të cilin po ndërtohet xhamia.

Arkitektura e xhamisë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë e cila pritet të ndërtohet, për vite ka hasur në mospajtime të shumta të ekspertëve të fushës, komunitet mysliman dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile.

Polemikat zakonisht nuk kanë vënë në pyetje nevojën e ndërtimit të xhamisë, por planin urbanistik dhe arkitekturën e xhamisë.

Ndërtimit të kësaj xhamie i kishin paraprirë një varg protestash nga komuniteti mysliman, të cilët kishin kërkuar që ky objekt kulti të ndërtohet përballë Katedrales “Nënë Tereza” në oborrin e fakultetit Filologjik.

Ndërkohë, protesta e sotme do të mbahet pikërisht në lokacionin ku ka filluar të ndërtohet xhamia, në afërsi të objektit qendror të Telekomit të Kosovës.

Protesta është paralajmëruar në Facebook nga Binak Gashi, ish-Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë pjesë e OVL-së së UÇK-së.

Ai ka kritikuar faktin se xhamia është e financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është provincë e Turqisë por “histori e Ilirisë që nga koha pellazge”.

Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, ndërsa kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro.

Puna për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë ka filluar të mërkurën.

Këto janë disa nga projektet që ishin prezantuar nga arkitektë të ndryshëm për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, përfshirë edhe projektin e arkitektes së njohur Zaha Hadid.