Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor në Prishtinë, flitet për mungesën e energjisë

Këtë të marte të 25 tetorit në Prishtinë do të mbahet “Samiti i Ballkanit Perëndimor 2022”, organizim i The Economist, në bashkëpunim me zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Temat e diskutimit do të jenë pushtimi rus i Ukrainës, mungesa e energjisë dhe mallrave dhe rritja e çmimeve po e çojnë botën drejt një krize të shumanshme.

Në këtë samit do të marrin pjesë krerët e shteteve nga rajoni, liderët e biznesit dhe financave dhe akademikët të cilët do të ndajnë njohuritë e tyre mbi strategjitë e reja për të trajtuar krizën aktuale dhe për të rritur stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon dhe më gjerë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një rol unik për të luajtur kundër këtij mjedisi. Ideja se pa Ballkanin Perëndimor, Evropa nuk mund të jetë vërtet e bashkuar, gjithëpërfshirëse dhe politikisht efektive po fiton terren”, thuhet në njoftim për media të këtij samiti.

“Rajoni ka një rol kritik për të luajtur në nxitjen e paqes, bashkëpunimit dhe unitetit përmes diversitetit për Evropën. Megjithatë, për të përfituar nga ky rol, vendet e rajonit do të duhet të zgjidhin konfliktet rajonale dhe të lehtësojnë reformat që zvogëlojnë hendekun me pjesën më të zhvilluar të Evropës”.

Sipas agjendës së samitit, në ora 9:00 do të flas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrat Donika Gërvalla, Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati.

Më pas flasin edhe ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe ish-presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz.

Një fjalim do ta mbaj edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, por edhe Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.

Pos këtyre, do të flasin edhe personalitete të njohura nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Ndërkaq samiti do të mbyllet në ora 19:00.