Sot fillon patrullimi i përbashkët mes policëve të Kosovës dhe Shqipërisë

Sot fillon patrullimi i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe i Policisë së Shqipërisë për sezonin veror, kjo pasi një muaj më parë është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit nga autoritetet policore.

Përmes një njoftimi për media, Policia e Kosovës bënë të ditur se turni i parë i zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës do të udhëtojë sot për në Shqipëri.

“Turni i parë i zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës, gjegjësisht të Njësive Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) dhe Njësisë për Kontroll të Autostradave (NJKA), do të udhëtojnë për në Republikën e Shqipërisë me datë 01.07.2019. Takimi informativ me zyrtarë policor do të mbahet në ora 09:30, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Po ashtu një konferencë për media do të mbahet në ora 10:00, në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë. Pastaj, së bashku me autoritetet e Policisë së Shtetit Shqiptar zyrtarët policor do të vazhdojnë për në Republikën e Shqipërisë, për detyrën konkrete sipas memorandumit për bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Patrullimi i përbashkët vjen pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar nga dy drejtorët e Policive, drejtorit të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Shqipërisë Ardi Veliu, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror.