Grupet parlamentare të Parlamentit Evropian kanë përgatitur projekt-rezolutat e tyre për Serbinë të premten, më 2 shkurt në nivel grupi. Siç mëson N1, sonte në Strasburg, përfaqësues të socialdemokratëve, të gjelbërve, liberalëve dhe të majtës do të ulen dhe do të negociojnë një tekst kompromisi.
Versioni i parë i projekt-rezolutës do të bëhet i ditur vetëm sonte vonë.
Më pas do të vijojnë negociatat mes përfaqësuesve të të gjitha grupeve politike, të martën dhe të mërkurën, për të arritur një tekst të përbashkët që do të hidhet në votim më 8 shkurt rreth orës 13.00.
Pritet që në vetë seancën në momentin e fundit të paraqiten disa amendamente, por ato nuk duhet të ndryshojnë rrënjësisht tekstin e rënë dakord, mëson N1.
Anëtarët e koalicionit “Serbia kundër dhunës” morën ftesë nga Parlamenti Evropian për të marrë pjesë në seancën e atij organi kur do të diskutohet për parregullsitë zgjedhore dhe do të miratohet rezoluta, më 8 shkurt në Strasburg.
Në atë seancë të PE-së, ku mori ftesë “Serbia kundër dhunës”, pritet të votohet rezoluta për zgjedhjet në Serbi, të cilat u mbajtën më 17 dhjetor të vitit të kaluar.







