Solskjaer paralajmëron përforcime në janar

Ole Gunnar Solskjaer ka këmbëngulur se nuk i duhen garanci nga bordi i Manchester United për të ardhmen e tij në krye të skuadrës dhe ka thënë se ka para për të shpenzuar në blerjen e lojtarëve të rinj në janar.

Kohëve të fundit është raportuar për një shkarkim të mundshëm të Solskjaer për shkak të rezultateve të dobëta dhe mungesës së vazhdimësisë që e ka treguar skuadra e tij e United.

Presioni ndaj norvegjezit është në rritje sepse Unitedi është duke e përjetuar fillimin më të keq në histori të klubit në një sezon në Premierligë.

Por Solskjaer thotë se nuk ka ndonjë shenjë që tregon se mund të shkarkohet, prandaj pret të qëndrojë në klub deri në përfundim të kontratës.

“Të gjitha bisedimet që i kam pasur me pronarët e klubit, kanë qenë që unë të kem kontratë trevjeçare”, tha Solskjaer për Sky Sports.

“Ne po planifikojmë diçka afatgjate. Mua më është dhënë kjo punë dhe kur e humb një ndeshje apo dy, nuk pret një telefonatë për të të dhënë garanci”, shtoi ai.

“I kemi paratë. Jemi duke vëzhguar lojtarë. I kemi paratë për t’u forcuar në janar dhe në verë”, theksoi ai.

loading…