Solskjaer mendon ta ndërtojë projektin rreth Pogbas

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm ta shohë Paul Pogban të largohet nga skuadra e Manchester Unitedit, duke bërë të ditur se dëshiron ta ndërtojë skuadrën e tij rreth mesfushorit për sezonet e ardhshme.

Përderisa spekulimet për të ardhmen vazhdojnë të sillen rreth Paul Pogbas, i cili tha këtë verë se dëshiron ta fillojë një sfidë të re diku tjetër, trajneri i “Djajve të Kuq” ka tentuar t’i shuajë këto lajme duke e lavdëruar 26-vjeçarin.

Solskjaer tha të martën se ai beson se mund t’ia japë francezit sfidat e nevojshme në “Old Trafford”, para se të sugjeronte se atij do t’i pëlqente ta ndërtonte skuadrën e tij rreth fituesit të Kupës së Botës 2018 me Francën.

“Pauli është një lojtar fantastik dhe një njeri fantastik. Ai gjithmonë ka qenë një profesionist i mrekullueshëm”, ka thënë Solskjaer në një intervistë të dhënë për BBC.

“Kur unë isha në Molde, unë thashë se nëse e ke Pogban në skuadër, atëherë ti duhet ta ndërtosh ekipin rreth tij. Të njëjtën gjë e mendoj edhe tani”.

“Tifozët e Manchester Unitedit e kuptojnë futbollin. Ne e dimë se Paul është kritikuar nga disa prej tyre, por ai pëlqehet nga shumë më tepër tifozë”.

Pogba është pjesë e skuadrës së “Djajve të Kuq” në Perth të Australisë, ku Manchester Unitedi e filloi turneun parasezonal. Ai e pati një takim të këndshëm me tifozët gjatë një seance stërvitore të hapur.

Pas deklaratës së Pogbas në fillim të kësaj vere, mediat filluan të raportojnë për interesimin e madh të Real Madridit dhe Juventusit për francezin. Së fundi, edhe agjenti i Pogbas, Mino Raiola, i ka dhënë dy intervista ku ka sugjeruar se është në kërkim të një klubi të ri për klientin e tij.