Solomoni i bashkohet Gjilanit

Ish-sulmuesi i Ballkanit, Theophilus Solomon, i është bashkuar skuadrës së Gjilanit për edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll.

Lajmi është bërë i ditur të premten në mbrëmje nga faqja zyrtare e klubit gjilanas.

“Gjilani komunikon angazhimin e futbollistit Theophilus Solomon. Marrëveshja e nënshkruar është e vlefshme për dy vite. Solomon vjen nga radhët e FC Ballkanit, ekip me të cilin u shpall kampion në edicionin e fundit të kampionatit elitar në Kosovë, teksa në të kaluarën ishte pjesë e disa skuadrave të njohura të rajonit. Të gjithë në SC Gjilani i urojnë mirëseardhje Solomonit dhe i dëshirojnë sukses në objektivat që klubi ka vënë para”, thuhet në njoftimin e Gjilanit.

26-vjeçari Solomon në edicionin e kaluar pati pesë gola të shënuar e një asistim në 19 paraqitje me Ballkanin.