Solari refuzon të krahasohet me Zidanen

Santiago Solari nuk është i interesuar në krahasimet që i bëhen atij me ish trajnerin e Real Madridit, Zinedine Zidane, pasi që u emërua trajner i përkohëshëm i “Los Blancos”.

Pas humbjes së thellë 5-1 ndaj Barcelonës në “El Clasico”, Julen Lopetegui u shkarkua nga detyra e trajnerit të Real Madridit, ndërsa pavarësisht se kanë qarkulluar emra të trajnerëve të rëndësishëm si Conte e Martinez, drejtuesit e kampionëve të Europës vendosën t’i besojnë këtë post përkohësisht Santiago Solarit.

“Ta lëmë të jetojë i qetë, ai është një prej ikonave të klubit. Nuk ka fjalë që mjaftojnë ta përshkruash Zidanen. Mos të krahasohem me të. Askush nuk mund të krahasohet me të”, u shpreh Solari.

Zidane u emërua trajner i Real Madridit në janar të vitit 2016 duke lënë Real Madrid Castillan ashtu sikur Solari, ndërsa pastaj trajneri francez udhëhoqi mbretërit drejt 3 sukseve rradhazi në Champions League.

Santiago Solari do të debutojë sonte në stolin e Real Madridit në ndeshjen ndaj Melillas në Copa del Rey.