Sobotka: Projekti paqësor i BE-së kompletohet vetëm me Ballkanin

Kryetari i parlamentit austriak Wolfgang Sobotka vlerësoi sot gjatë një vizite në Maqedoni se projekti i paqes së BE është i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të Unionit.

“E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Projekti i paqes në BE është i plotë vetëm kur këto vende janë pjesë e një Evrope të përbashkët,” tha Sobotka në fjalimin e tij në Parlamentin e Maqedonisë.

Ai theksoi se përparësia e agjendës së politikës së jashtme të tij dhe gjatë Presidencës së BE është mbështetja në këtë proces në nivel parlamentar.

Në prezantimin e tij, Sobotka veçanërisht theksoi rolin e parlamentit në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Është e nevojshme që parlamenti të nisë iniciativa shtesë dhe të ofrojë mënyra të ndryshme të bashkëpunimit, në mënyrë që të thellojë shkëmbimin në nivelet politike, si dhe administrative”, theksoi ai.

Austria, siç njoftoi ai, do të ofrojë program bursash për zyrtarët e administratës së parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kur është fjala për Maqedoninë, ai e mirëpriti vendimin për të pranuar një marrëveshje me Greqinë.

Ai e vlerësoi pranimi me shumicë prej dy të tretave për ndryshimin në emër të shtetit si “orë e parlamentarizmit”, pasi ky hap jo aq i thjeshtë u mbështet nga opozita.

Në lidhje me këtë, Sobotka u bëri thirrje deputetëve për unitet për të ardhmen e Maqedonisë.