Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e SLS-së, Slobodan Petroviq, u rrah sot në Prishtinë.
Slobodan Petroviq u sulmua nga dy anëtarët e Listës Serbe, Millan Kostiq dhe Nenad Miliceviq, në njërin nga restorantet pranë Kuvendit të Kosovës.
Në lidhje me këtë rast Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar dy persona.
Por rreth një javë më parë Slobodan Petroviq, deklaroi se po ndihet i kërcënuar nga njerëzit e Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë.
I pari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk ka shumë kohë që e kishte shpallur tradhtar deputetin e Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq. Madje, akuza të njejta për të patën edhe Lista Serbe.
Vuçiq, deputetit serb të Kuvendit të Kosovës ia kishte hedhur disa akuza, sidomos lidhur me kalimin e Ushtrisë në Kuvend e Dokumentit për Platformën e Dialogun, për të cilat e akuzonte këtë të fundit se e kishte ndihmuar me votë.
Madje, atë e kishte shpallur edhe tradhtar dhe jo serb, që proteston kundër shtetit të Serbisë dhe kundër Listës Serbe.
Ai siç tha Vuçiq, ishte personi i 61-të që votoi platformën për dialog në Kuvendin e Kosovës.
“A e dini se kush e nënshkroi (ose mbrojti) letrën më të poshtërsuar ndaj serbëve në dekadat e fundit? Serbia dha votën, dhe ai ishte i 61’ti në Kuvendin e Kosovës. Ai serb është Slobodan Petroviq, i cili është një person që proteston kundër shtetit të Serbisë dhe kundër Listës Serbe, të cilën populli jonë e zgjedhi në mënyrë legjitime dhe ua dha votën”, ishte deklaruar Vuçiq.
Për të njëjtat tema, e kishin akuzuar përmes një komunikate për media edhe nga Lista Serbe, duke thënë se nga Petroviq ishte distancuar edhe Oliver Ivanoviq.
Për këtë rast, vetë Petroviq i kishte dërguar një letër të hapur Vuçiqit, ndërkaq, deklaratat e të parit të Serbisë i cilësonte si kërcënime që i lidhte edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Petroviq muaj më parë ishte ndalë nga shërbimi informativ serb dhe ishte marrë në pyetje për disa orë në pjesën serbe të kufirit me Kosovë, në Merdare. /Ballkani.info/






