Sllovenia mbyll reaktorin bërthamor pas tërmetit në Kroacinë fqinje

Autoritetet sllovene e kanë mbyllur reaktorin e vetëm bërthamor të vendit ballkanik, “NPP Krsko”, si masë parandaluese për shkak të tërmetit në Kroaci.

Kroacia të martën u godit nga një tërmet i fuqishëm prej 6.4 shkallësh të Rihterit dhe lëkundjet u ndien edhe në Slloveni.

Operatori i reaktorit bërthamor tha se mbyllja është procedurë standarde në rast të tërmeteve të fuqishme, raporton agjencia STA.

Zyra Sizmike e Kroacisë më herët tha se një tërmet prej 6.2 shkallësh të Rihterit është regjistruar në qytezën Petrinja, në pjesën qendrore të vendit, në orën 12 e 19 minuta, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Reaktori bërthamor i Sllovenisë, “NPP Krsko”, ndodhet afër kufirit me Kroacinë. Ai është ndërtuar në vitet e shtatëdhjeta, ndërsa është vendosur në operim më 1982, kur dy shtetet ishin ende pjesë e Jugosllavisë.