Skitari Albin Tahiri fiton normë olimpike

Albin Tahiri ka kompletuar rezultatet për të siguruar normën për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022” në disiplinën e sllallomit të madh, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të enjten.

Tahiri doli i 23-ti në garën e mbajtur të enjten në Maribor të Sllovenisë. Ai i përfundoi të dy lëshimet me kohë 2:16.76 minuta, për të fituar 82.24 pikë të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).

Në këtë garë morën pjesë 50 skitarë, ku dhjetë prej tyre nuk arritën të përfundojnë njërin prej dy lëshimeve.

“Jam shumë i lumtur me garën e sotme. Kam përmirësuar rezultatin e sotëm për dallim nga dje (i 29-ti) dhe kam marrë 82.24 pikë të FIS-it, që është rezultati dukshëm më i mirë për Kosovën në dy sezonet e fundit në ndonjë disiplinë”, ka thënë Tahiri për KOK-un.

“Tani kam quar në pesë numrin e rezultateve të nevojshme për normën Olimpike, të cilën tani e kam të arritur në sllallom të madh. Jam shumë i lumtur për këtë”.

Skitari 32-vjeçari do ta kërkojë normën olimpike edhe në sllallom dhe disiplinat e shpejta si: super G, kombinim alpin dhe lëshim.

Më herët, normën olimpike, por në disiplinën e sllallomit e ka arritur edhe Arbi Pupovci.

Lojërat Olimpike Dimërore mbahen në Pekin të Kinës prej 4-20 shkurt të vitit të ardhshëm.