“Noa Energy Trade” – kompania që zotëron tregun e tregtimit të energjisë elektrike në Kosovë, e drejtuar nga biznesmeni shqiptar Gentian Sula, del të jetë e lidhur “ngushtë” me oligarkun serb të energjetikës, Vuk Hamoviç.
E licencuar në vitin 2022, “NOA” arriti që shpejtë të marrë në dorë tregun e importit të energjisë elektrike në Kosovë.
Kompania shqiptare e drejtuar nga biznisemeni Gentian Sula arriti që të krijojë monopol në Kosovë për importin e energjisë elektrike.
Mbi 260 milionë euro kaluan në llogari të kompanisë “Noa Energy Trade”, në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024.
Vetëm në vitin 2024, rreth 90 për qind e rrymës nga importi erdhi përmes “Noa Energy Trade”.
Edhe pse importi i rrymës me NOA-n gjatë vitit 2024 kushtoi deri në 225% më shtrenjtë se çmimi zyrtar në bursën HUPX, kjo nuk e pengoi KESCO-n që “ta qesë nga loja” kompaninë shqiptare.
Lidhjet duket se janë të forta.
Biznesmeni shqiptar, Gentian Sula, që drejton kompaninë “Noa Energy Trade”, dyshohet se ka lidhje të ngushta me “liderin” e tregtimit me energji elektrike në Ballkan, biznesmen serb, Vuk Hamoviç.
Hamoviç është drejtues i kompanisë “EFT Group”.
Kjo kompani për 20 vite kishte mbajtur primatin e importit të energjisë elektrike në Kosovë, ndërsa shtrirjen e saj e kishte bërë edhe në Shqipëri.
Drejtues i degës së “EFT Group”, në Shqipëri është Mirsad Uruçi, kurse më parë kjo kompani ishte drejtuar nga babi i tij, Enveri.
Përpos Mirsadit e Enverit, në kompaninë “EFT” kishte punuar edhe vajza e kësaj familje, Suada Uruçi. Ajo mbante rolin e konsulentes në kompani.
Suada e familja Uruçi dalin të kenë lidhje familjare me Gentian Sulën, pronarin e kompanisë “Noa Energy Trade”, që ka krijuar monopol në importin e energjisë elektrike në Kosovë.
Suada është gruaja e vëllait të nuses së Gentian Sulës, ka raportuar Buletini Ekonomik.
Kompania “EFT Group” është lidere e tregtimit të energjisë elektrike në Ballkan.
Sipas të dhënave të gjitha degët e EFT-së në Evropë drejtohen nga shtetas me origjinë nga Serbia. Ortak i kompanisë në Angli është shtetasi serb Svetislav Bulatovic, rezident në Serbi. Ndërsa, drejtor i kompanisë është shtetasi Zoran Ivkovic, po ashtu rezident në Serbi. Nga ana tjetër, ekziston edhe dega e EFT AG (The Energy Financing Team), me seli në Zvicër me veprimtari tregtimin e energjisë elektrike.
Por, të gjitha degët e EFT Group hyjnë nën ‘ombrellën’ e shoqërisë zvicerane EFT AG ku themelues e drejtues është personalisht biznesmeni Vuk Hamoviç. Ai figuron si themelues i EFT Group edhe në uebsajtin zyrtar të kompanisë.
Hamoviç përmendet në mesin e disa prej biznesmenëve serb, për evazion fiskal, që u publikua pas rrjedhjes së të dhënave ku përfshihen politikanë e biznesmenë, si pjesë e skemës për shmangie tatimore.
Të dhënat publike, e përshkruajnë Hamoviçin si pasardhësin e Rade Hamoviç, një gjeneral i KOS-it jugosllav me origjinë nga Bosnja e Hercegovina, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, shërbeu si oficer i sigurimit jugosllav.
Pas shpërfaqjes së këtyre të dhënave që paraqesin lidhjet e Gentian Sulës me oligarkët serbë, ka tentuar të ndërhyjë Gani Jashari, anëtar bordi në KOSTT deri në vitin 2018.
Jashari kishte tentuar t’i dalë në mbrojtje Sulës duke synuar që të takohej me gazetarët e “Buletinit Ekonomik”.
Insistimi i Jasharit kishte rezultuar pa sukses, ndërkaq vetë ai del të jetë “i përlyer” në këtë mes.
Gani Jashari, ish-anëtar bordi në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nga viti 2015 deri në vitin 2018, kishte qenë i angazhuar në kompaninë “NOA Control”, e cila drejtohej nga Gentian Sula.
Përpos bashkëpunimit me Sulën, vetë Jashari del të jetë i lidhur me biznesmenë serbë.
Jashari e ka përfaqësinë e markës “Zepter” për Kosovë, pronar i së cilës është Filip Zepter, njëri nga biznismenët më të pasur në Serbi.
Zepter, thuhet se është një nga biznesmenët më të pasur të Serbisë, dhe sikurse Vuk Hamovic, edhe ky ishte pjesë e skemës për shmangie tatimore përmes kompanive ‘offshore’, që lidhen me rrjedhjen masive të të dhënave të njohur si ‘Panama Papers’ të vitit 2016.
“Ai bashkëpunoi me Alain Bionda, një avokat dhe tregtar nafte nga Zvicra. Bionda, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, ishte i përfshirë në transaksione të paligjshme nafte me Irakun. Bionda ishte në kontakt me zyrën e Mossack Fonseca për të ngritur kompani jashtë vendit për Zepter dhe gjithashtu shërbeu si drejtor në disa kompani të Zepter. Zepter kishte kompani offshore në Panama dhe Qipro”, ka raportuar Buletini Ekonomik.







