Ish drejtori i CIA-s

S’kanë fund pakot bomba në SHBA. Brennan bën me faj Trump

Pas Barack Obamës, një tjetër demokrat i njohur në SHBA ka qenë shënjestra e një pakoje-bombe, më e fundit e serisë së dërgesave të rrezikshme postare që po trazon opinionin publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-zëvëndëspresidenti Joe Biden nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së atyre që qëndrojnë pas veprimeve të tilla. Më herët, një pako e ngjashme e dyshimtë u gjet në restorantin e aktorit të famshëm hollivudian Robert de Niro, një kritik i ashpër i presidentit Donald Trump.

De Niro e ka shprehur hapur kundërshtinë e tij ndaj Trumpit, të cilin dikur e pati etiketuar si “fatkeqësi kombëtare”. Loja e pajisjeve që besohet të jenë me eksplozive u nis me gjetjen e një të tillë në kompleksin e miliarderit filantrop George Soros; ajo vazhdoi me pas me pakot e dërguara në adrese të ish-presidentit Barack Obama, ish sekretares se shtetit Hillary Clintonit, e madje dhe vetë selisë së CNN-it, që të gjithë kritikë të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Trump fajësoi mediat për këtë situate duke shkruar në “Twitter” se një pjesë e madhe e zemërimit që dëshmojmë sot në shoqërinë amerikane, është pasoje e raportimeve të rreme të mediave kryesore, të cilave ai preferon t’i referohet si “fake news”.

Por ish drejtori i CIA-s John Brennan, emri i të cilit ishte në paketën bombë të dërguar zyrave të CNN-it në Nju Jork, i është përgjigjur ashpër presidentit po përmes rrjetit social të preferuar prej tij.

“Boll fajësove të tjerët, por shiko veten në pasqyrë”-, ka shkruar Brennan; “retorika jote qe nxit urrejtje, fyerjet, sharjet, gënjeshtrat dhe inkurajimi i dhunës fizike janë të turpshme e me pasoja”.