Herët në mëngjes gjatë dhënies së ndihmës një personi të lënduar në aksidentin që ndodhi ndërmjet fshatit Lapnasellë dhe Graçanicës është sulmuar ekipi i ndihmës së shpejtë nga Llapnasella, shkruan Demokracia.com.
Sulmin e ka konfirmuar mjeku Sasha Miriq, pasi që atë gjatë dhënies së ndihmës të lënduarit e ka sulmuar D.J. nga Llapnasella.
“Derisa ishim duke i dhënë ndihmë, ndodhi që neve D.J., në fyente verbalisht, fillimisht mua. Më shau nënën dhe më pas me goditi me grusht në parakrahun e djathtë. Gjithçka ndodhi në praninë e policisë që ishte aty. Nuk e di se me çfarë të drejte ai person ishte me viktimën. Ishte në shoqërinë e komandantit të policisë, i cili ishte afër tij. Policia e qetësonte”, ka thënë Miriq për Media Center.
Miriq thekson se D.J. ishte në gjendje të dehur, transmeton Demokracia.com.
“E kam nuhatur erën e alkoolit tek ai. Ai bërtiste, ishte shumë agresiv. Nuk mendoj se një person që nuk është nën ndikimin e alkoolit apo narkotikëve mund të ketë një sjellje të tillë. Ai thoshte se ‘ku jeni deri tash’. Ne u nisëm në orën 2:06, një minutë para kësaj na morëm një telefonatë. Mbërrijmë si gjithmonë, dy, tre, pesë minuta, automjeti ynë është i tillë, nuk mund të fluturojmë. Zakonisht arrijmë para policisë. Na thërrasin dhe arrijmë para policisë, pra në 90% të rasteve”, ka thënë Dr. Miriq.
Miriq e ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës.
“E kam lajmëruar në polici (stacionin policor në Graçanicë), fillimisht më kanë thënë të vij të nesërmen, se nuk kanë patrullë. Më vonë, shefi i detyrës (policja) thirri sërish dispeçerin tim dhe më tha të vij pas orës shtatë. Pas kësaj kam thirrur 192 në Prishtinë, njerëzit kanë qenë korrekt, më kanë dëgjuar mirë, janë befasuar me sjelljen e stacionit policor në Graçanicë. Atyre u dërguan një kërkesë dhe pas rreth njëzet minutash u paraqit një ekip policor, të cilëve unë u dhashë deklaratën”, theksoi doktor Sasha Miriq, transmeton Demokracia.com.
Në pyetjen e gazetarit të Qendrës Mediale se çfarë ka bërë policia në Graçanicë në lidhje me këtë rast dhe nëse D.J. është arrestuar apo është marrë në pyetje, komandanti i stacionit policor të Graçanicës, Bratislav Trajkoviq, tha: “Sot nuk kam qenë në punë, nuk e di se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë Trajkoviq. Kur gazetari i tha se Dr. Miriq ka deklaruar se ai personalisht (Bratislav Trajkoviq) ka qenë në shoqërinë e sulmuesit D.J., Trajkoviqit nuk i kujtohej ngjarja e mëngjesit të sotëm.
Gazetari: Mjeku na tha se D.J. ka qenë në shoqërinë tuaj dhe ju nuk keni reaguar, ai pretendon se e shau e goditi dhe se ju po qëndronit aty?
Bratislav Trajkoviq: Nuk kam qenë sot në punë, nuk e di për çfarë deklarate është.
Gazetari: Po ju pyes për mbrëmë, keni qenë në shoqërinë e D.J.
Bratislav Trajkoviq: Hajde, asgjë nuk është e vërtetë, kështu që unë isha atje dhe askush nuk e preku.
Gazetari: Mjeku pretendon se e shau dhe e goditi.
Bratislav Trajkoviq: Problemi i tij, problemi i tij le të pretendojë çfarë të dojë, askush nuk e preku.
Gazetari: A keni reaguar…?
Bratislav Trajkoviq: Po.
Gazetari: Çfarë keni bërë?
Bratislav Trajkoviq: Faleminderit, mirupafshim!
Shefja e Shërbimit Emergjent Mjekësor në Lapnasellë, Marina Mandiq, në një prononcim për Media Center ka thënë se ekipi mjekësor, pavarësisht sulmit, e ka kryer punën e vet në mënyrë profesionale. Sipas pretendimeve, për gjithçka është njoftuar edhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetësisë në Graçanicë. Sipas Mandiqit, situata të tilla mund të rrezikojnë jetën e pacientit.
“Çdo sekondë e pacientëve të tillë është e çmuar për ne dhe për jetën e tyre. Është një pengesë në çdo drejtim. Falë Zotit, ekipi ynë qëndroi konsistent dhe në radhë të parë kujdesej për pacientin, duke mos dëgjuar histori boshe, ofendime dhe sulme fizike, edhe pse policia ishte aty”.
Marina Mandiq thekson se deri më tani nuk ka pasur asnjë sulm fizik ndaj mjekëve të këtij shërbimi.







