Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj ndalimit arbitrar të kameramanit të portalit “Paparaci”, Jetmir Muji, nga mbrojtja e afërt e Presidentes Vjosa Osmani. Incidenti ka ndodhur gjatë xhirimeve në një shkollë private, ku sipas AGK-së, Muji po realizonte pamje për familjen presidenciale Osmani–Sadriu.

Sipas njoftimit, pjesëtarë të mbrojtjes së afërt e kanë ndaluar fizikisht kameramanin, e kanë mbajtur për disa minuta jashtëligjshëm, i kanë konfiskuar kamerën dhe i kanë kërkuar të fshijë xhirimin.

AGK e ka cilësuar këtë veprim si “skandaloz dhe të papranueshëm”, duke kërkuar nga Presidentja Osmani dhe Policia e Kosovës të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj personave përgjegjës.

“Çdo pengesë për të realizuar këtë të drejtë raportimi është sulm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim”, thekson AGK, duke kujtuar se mediat kanë të drejtë të raportojnë për institucionet dhe përfaqësuesit e lartë të shtetit, gjithmonë duke respektuar etikën kur bëhet fjalë për të miturit.

AGK i ka bërë thirrje Presidentes Osmani të distancohet nga veprimet e mbrojtjes së afërt dhe të sigurojë transparencë në raport me mediat.