Albin Kurti në cilësinë e kryeministrit i ka nënshkruar dy vendime të dyshimta brenda pak ditëve në shkurt të vitit 2022. Vendimet ndërlidhen me skandalin me Rezervat Shtetërore.
Të dy vendimet i hapën rrugë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për të zhvilluar procedurat sekrete për rritjen e rezervave shtetërore.
Paparaci e ka siguruar dosjen e plotë të rastit të Rezervave Shtetërore, përfshirë komunikimet me e-maile të ministres Rozeta Hajdari me sekserin Ridvan Muharremi, të cilat i ka publikuar rreth një javë më parë.
Procesi për lëndën që më vonë do të shndërrohej në aferën më të madhe korruptive të qeverisjes së Albin Kurtit nisi pikërisht me një vendim të tij.
Vendimet dyshohet se janë interpretuar ligjërisht gabimisht.
Vendimi i parë, i nxjerrë në një mbledhje të qeverisë më 23 shkurt 2022, parashihte alokimin e 10 milionë eurove nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike për rritjen e Rezervave Shtetërore. Mjetet do të vendoseshin në dispozicion të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Rozeta Hajdari.

Dy ditë më vonë, në 25 shkurt të atij viti, MINT-i do t’ia parashtronte një kërkesë absurde kryeministrit Kurti: që vendimi për furnizim i Rezervave Shtetërore të përjashtohej nga prokurimi publik dhe kontrata të klasifikohej si sekret.
Dosja e lëndës tregon se si kryeministri, përmes nënshkrimit të një vendimi të dyshimtë, e kishte aprovuar kërkesën që të përjashtoheshin procedurat e prokurimit publik për furnizim të Rezervave Shtetërore. Lëndën e kontratës e kishte klasifikuar si sekret shtetëror.
“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervës Shtetërore – Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që t’u mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim të produkteve të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave dhe Rregullores (QRK) Nr. 03/2019 për Prokurimin për Qëllime të Mbrojtjes dhe Sigurisë”, thuhet në pikën 1 të vendimit të nënshkruar nga Kurti.

Por, Ligji dhe rregullorja në të cilat është mbështetur qeveria për klasifikimin e lëndës si sekret, dyshohet se janë interpretuar gabimisht.
Ligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave parasheh se blerja e çdo artikulli të rezervave duhet parashihet në mënyrë specifike në Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe se çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet bërë përmes procedurave të hapura të prokurimit.
“Blerja, shitja dhe huazimi i rezervave shtetërore të mallrave Blerja e çdo artikulli të rezervave shtetërore të mallrave sipas këtij ligji duhet të parashihet në mënyrë specifike në ligjin përkatës vjetor për ndarjet buxhetore. Përveç kësaj, çdo aktivitet i prokurimit për blerjen e këtyre artikujve duhet të bëhet përmes procedurave të hapura të prokurimit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik”, thuhet në nenin 20 të Ligjit.

Edhe Rregullorja për Prokurimin për Qëllime të Mbrojtjes dhe Sigurisë nuk i jep të drejtë vendimit të qeverisë.
Rregullorja thotë se procedurat sekrete të furnizimit mund të zhvillohen vetëm në rastin e blerjes së pajisjeve ushtarake.
Paparaci raportoi të hënën e javës së kaluar për përfshirjen e Kurtit, Hajdarit dhe disa zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë skandalin me Rezervat Shtetërore.
Dosja e rastit, të cilën e ka siguruar Paparaci, i implikon edhe dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, dy kompani private turke e polake dhe sekserin Ridvan Muharremi.
Hulumtimi përmban vendime të dyshimta të shefit të qeverisë, komunikime me e-maile të ministres së Tregtisë direkt me Ridvan Muharremin, sekserin i cili ndërmjetësoi mes qeverisë dhe kompanive, si dhe pro-faturat për mallin.







