Skandali i mikut të Kurtit kryefjalë në televizionin shtetëror slloven | Martin Berishajt i erdhën paratë nga GEN-i në Beograd

Emisioni “Tarča”, ose kthyer në shqip “Objektivi” që transmetohet në “Prime Time” të televizionit shtetëror slloven, ka bërë jehonë gjithandej vendit gjatë së enjtes mbrëma.

Temë diskutimi ishte GEN’i, gjegjësisht operacionet e kësaj kompanie në Ballkan, me atë më të përfolurën muajve të fundit, në Prishtinë.

Panelistë ishin Maks Helbl kreu i bordit të GEN-it, Zijad Beçiroviç , drejtori i IFIMES, lobisti Miloš Čirič dhe ish-drejtoresha e Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave Klaudija Stroligo. Interesant është fakti se kryeministri aktual, Robert Golob ishte gjithashtu i ftuar, por nuk mori pjesë në emisionin e drejtuar nga Erika Žnidaršič.

Biseda filloi me faktin se në zyrën e GEN-it në kryeqytetin kosovar nuk është askush. Siç thuhet, ekipi i emisionit ka pyetur në adresën me numër 14 të rrugës “Gustav Majer” në Prishtinë, por nuk ka gjetur asgjë.

Madje, aty gazetari gjeti një fotokopje, pronari i së cilës iu drejtua: “GEN nuk është këtu. Nuk është këtu”.

Tutje, raportimi vazhdoi me faktin se vetëm një kilometër larg nga aty, është qendra e regjistrimit të bizneseve. Kompania në pronësi të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci dhe figurës së njohur në Slloveni, MB Consulting u bë pjesë e ballinave të mediave, pak para zgjedhjeve parlamentare, kur u publikuan transaksionet financiare.

Por, “kleçka” është dikah tjetër. Paratë Berishajt i kanë ardhur nga GEN-i në Beograd, që ka vetëm katër punëtorë të regjistruar e miliona qarkullim. Diskrepancë e theksuar mes njërës dhe tjetrës, gjë që ngjall dyshime gjithsesi.

Më pas u diskutuan edhe tërheqjet e Berishajt, gjë për të cilën Nacionale kishte raportuar vazhdimisht.

Në “Objektiv” u përmend edhe fakti se Berishaj kishte bërë një transaksion prej 8500 eurosh për një kompani “Myloja”, ku pronarë ishin edhe sllovenët Anton Černe dhe Janez Bukovnik, të dy këta ish-drejtues të Lotarisë Sportive Sllovene.

Jo vetëm kaq. Një tjetër slloven doli në pah. Bëhet fjalë për Erazem B. Pintar. Me 85% të aksioneve, Pintar është pronar i dikur kompanisë së Berishajt, Zaslon Kosova.

Në një bisedë telefonike për TV Slovenia, ai tha se nuk e mban mend të ketë hapur kompani në Kosovë, ndërsa shtoi se vetëm një herë e kishte takuar Berishajn.

Ekipi i emisionit kishte tentuar të flasë edhe me Berishajn, por pa arritur fare te ai. Mesazhe telefonike, thirrje, posta elektronike, të dërguara edhe në zyrën e ambasadës në Kroaci, por sërish asnjë përgjigje.

Raportimet e Planet TV për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishajt në skandalin e madh financiar, ishin dërguar në Gjykatë për shpifje nga Berishaj.

Pas vendimit të shkallës së parë, edhe shkalla e dytë e Gjykatës në Slloveni ia ka refuzuar ankesën ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, i cili e ka publikuar edhe vendimin.

“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoi se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.

Martin Berishaj kishte pretenduar se raportimet për përfshirjen e tij në këtë skandal ishin shpifje. Megjithatë, është hera e dytë që gjykata ia refuzon ankesën ambasadorit Berishaj.

Këtu duhet përmendur faktin se në të katër shtetet ku është i përfshirë GEN-i po zhvillohen hetime, por “Objektivi” nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Serbia e Kosova.

Më poshtë edhe përgjigjet e secilit shtet veç e veç.

Serbi – Agjencia për Parandalimin e Pastrimit të Parave nuk i komenton rastet, prokuroria nuk merret me rastin, policia nuk ka nisur hetime

Mali i Zi – Institucionet kompetente nuk kanë dërguar përgjigje.

Shqipëri – Njësia kundër pastrimit të parave nuk komenton, policia dhe prokuroria heshtin.

Kosovë – Zyra nuk jep deklarata, policia dhe prokuroria gjithashtu nuk janë përgjigjur. Mirëpo, komisioni i Kosovës kundër korrupsionit ka bërë kallëzim në prokurorinë vendore kundër Martin Berishaj për fshehje të pasurisë.

Historiku

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë, ku dyshohet për shpërlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Televizioni slloven Planet TV në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.