Mefail Bajqinovci

‘Skandali’ i Isa Mustafës sipas Vetëvendosjes: A e zgjedh Qeverinë në të vërtetë “populli”?

Një deklaratë e dhënë nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është cilësuar si “skandaloze” nga anëtarët e Vetëvendosjes, përfshirë deputetin Mefail Bajqinovci. Por, cila është e vërteta për një deklaratë të tillë?

Kryetari i LDK-së dhe ish kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar së fundi se “qeveria nuk zgjidhet nga populli” dhe se VV-ja sillej në Qeveri sikur t’i kishte fituar “55 për qind që votave”.

Deputeti Mefail Bajqinovci kishte thënë se “kjo ishte deklaratë skandaloze, në kundërshtim me vlerat demokratike dhe me vet sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës.” Ai ka vazhduar me gjuhën e urrejtjes ndaj Mustafës duke thënë në po të njëjtin postim se ai e kishte “shef Hashim Thaçin.”

Statusi i z.Bajqinovci ka marrë mbi 1 mijë e 300 pëlqime dhe reagime pozitive në Facebook ndërkohë që ka nxitur edhe sharje në drejtim t’Mustafës.

Por, e vërteta është shumë më ndryshe. Qeveritë e Republikës së Kosovës në fakt nuk zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë (plebishitare) nga populli por përmes të zgjedhurve të popullit në parlament. Një lloj i tillë i demokracisë, , njihet si demokraci reprezentative (përfaqësimtare).

Nga kjo rrjedhë që populli zgjedh zgjedhësit e Qeverisë së vendit përmes rregullave të përcaktuara nga Kushtetuta e vendit.

Kryetari i LDK-së në fakt kishte pasur të drejtë. Vetëvendosje përfaqëson vetëm 26,27 për qind të popullit të Kosovës, ose 29 zgjedhës të Qeverisë së Kosovës në Kuvend brenda Legjislaturës së VII.

Statusi i plotë i z.Bajqinovci

Kjo është deklaratë skandaloze, në kundërshtim me vlerat demokratike dhe me vet sistemin kushtetues te Republikes së Kosovës.

Keqardhje e madhe që LDK, me tërë atë çfarë ka përfaqësuar e përfaqëson, ka një kryetar që jep qëndrime të tilla që i vihen në anën e kundërt demokracisë dhe rregullave bazë të pluralizmit politik.

Ndoshta Isa Mustafa tashmë ka arritur deri aty sa të besoj se më asgje s’ka rëndësi ne atë çfarë e vendosë populli, por vetëm marrëveshjet e lidhjeve të shkurta nën regjinë e shefit te tij Hashim Thaçi.

Ky njeri siç duket beson thellë se mashtrimi i stilit jugosllav është qelësi i çdo rrugëtimi politik dhe mënyra se si dikush e fiton të drejtën për të qeverisur.

Isa është mirë ta kuptoj se populli e rinia e Kosovës nuk i njeh dhe as i pranon keto metoda.

Kosova me gjithë problemet, ka nje minimum të nevojshem të demokracisë, ka Kushtetutë që i vendosë rregullat e lojës për mënyrën e ushtrimit te demokracise ne jeten politike e institucionale.

Jeni aq te tmerruar qe po e shihni valen e madhe popullore në përkrahje tonen dhe kundër jush, sa që jeni gati të flisni pa hetueshem në parimin se “se popullin se pyet askush”. E po jo Ise, populli pyetet dhe populli është zot shtëpie në këtē vend, jo Hashimi Isë. Nêse pêr ty po, për ne asnjëherë.