Deputetët e Popullit të RS-së mëngjesin e sotëm e përfunduan seancën e 11-të të rregullt me ​​votim për pikat e miratuara të rendit të ditës dhe ndër të tjera u miratua Ligji për ndryshimin e ligjit për përdorimin e flamurit, stemës dhe himnit.

Ky ligj i propozuar nga kryetari i Kuvendit Popullor të RS-së, Nenad Stevandiq, parasheh që përveç simboleve të RS-së, të mund të përdoren edhe simbolet kombëtare të Serbisë.

Për këtë ligj votuan 61 deputetë, 4 ishin kundër dhe 4 abstenuan. Në seancë sot morën pjesë 69 deputetë nga gjithsej 83.

Me miratimin e ligjit, stema e Nemanjiqit (shqiponja dykrenore me kurorë) dhe himni “Drejtësia e Zotit” mund të përdoren si simbole zyrtare të RS. Këto janë simbole që Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës i anuloi në vitin 2006 nga simbolet zyrtare të Republikës Srpska, duke gjykuar se ato diskriminojnë boshnjakët dhe kroatët në atë entitet.

Por me ndryshimet në ligjin ekzistues në RS, stema e Nemanjiqit dhe himni “Drejtësia e Zotit” po përpiqen të kthehen përmes dispozitës sipas së cilës flamujt dhe stemat mund të vendosen në institucionet e atij entiteti të BeH, si dhe himnet e vendeve të huaja me të cilat RS ka marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve të veçanta paralele.

Duke qenë se RS ka një marrëveshje të tillë me Serbinë, praktikisht do të thotë që himni serb “Drejtësia e Zotit” mund të transmetohet në seancat e parlamentit të entitetit.

Flamuri i Serbisë me stemën e Nemanjiqit do të valojë para dhe brenda ndërtesës së Kuvendit të RS.

Deputeti Ramiz Salkiq konsideron se është e “papranueshme” që zgjidhja e lartpërmendur ligjore të miratohet, sepse, siç tha ai, stema e Nemanjiq e lidh atë me luftën e kaluar në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Ky simbol (stema e Nemanjiqit), çfarëdo që të thoshte në të kaluarën, do të thotë përgjithmonë në të ardhmen se nën të, shumë njerëz mbanin këtë etiketë, se janë kryer krimet më të rënda të luftës. Dhe si pjesë e të gjithë projektit, e cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale, është kryer dhe gjykuar gjenocidi ndaj boshnjakëve”, tha Salkiq.

Përfaqësuesit e partive pro-boshnjake kanë paralajmëruar se do të sfidojnë ndryshimet e paralajmëruara nëse ato miratohen.