SKANDAL: MTI shfuqizon vendimin e saj, lejon importin e produkteve me vaj të rrezikshëm palme DOKUMENT

Pas paralajmërimit të qumshtarëve kosovarë për protesta, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë më 11 shtator vendosi që të ndalojë përkohësisht importin e vajit të palmës, importin e djathit dhe produkteve të ngjashme të djathit të prodhuara me yndyrë bimore.

Ishte ndaluar po ashtu përkohësisht përdorimi i vajit të palmës në prodhimin e produkteve të ngjashme të djathit nga prodhuesit vendorë.

Në vendimin e marrë të 11 shtatori, MTI-ja obligonte Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të bëjë hulumtim lidhur me përdorimin e brendshëm të vajit të palmës.

Vendimi hyri në fuqi me datën 15 shtator. Mirëpo, megjithë këtë vendim, importi i i produkteve me vaj palme nuk u ndalë asnjëherë, duke bërë që prodhuesit e qumshtit në Kosovë të protestojnë duke derdhur në Prishtinë qindra litra qumësht si shenjë revolte, shkruan Ballkani.info.

Por ajo që tash është më skandaloze ka të bëjë me vendimin e ri të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Bëhet fjalë për vendimin e datës 30 shtator.

Ballkani.info e ka siguruar këtë vendim me të cilin më nuk ndalohet importi i produkteve me prejardhje të vajit të palmës, por operatorët ekonomikë obligohen që ato t’i ndajnë fizikisht nga produktet tjera.

“Në raftet e cekura në paragrafin 1 të këtij Vendimi, duhet të jetë mbishkrimi ‘Produkte me yndyrë bimore-vaj të palmës dhe të tjera’ dhe ‘Produkte të qumështit me yndyrë shtazore’. Mbishkrimi duhet të jetë i shkruar qartë, dukshëm dhe lexueshëm për konsumatorët”, thuhet në këtë vendim të nënshkruar nga ministri Vesel Krasniqi.

Po ashtu me këtë vendim shfuqizohet Vendimi numër 6167 i datës 11.09.2020, vendim ky që kishte ndaluar importin e produkteve me vaj palme.

Në arsyetim e vendimit të kaluar për ndalimin e importit të produkteve me vaj palme, ishte theksuar se kjo është bërë bazuar në kërkesën e Shoqatës së Industrisë së Qumështorëve të Kosovës dhe Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës. Po ashtu përmendeshin edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës që kanë treguar rritje të konsiderueshme të importit të vajit të palmës, në periudhën 2015-2019.

Sipas arsyetimit, MTI-ja aso kohe theksonte se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë kanë vlerësuar se vaji i palmës dyshohet se përdoret për prodhimin e produkteve të qumështit dhe në etiketën e produkteve s’vendosen të dhëna të sakta lidhur me përmbajtjen e tij.

Sipas shumë studimeve ndërkombëtare, vaji i palmës lidhet me shumë probleme të zemrës për shkak të përmbajtjes së nivelit të lartë të yndyrës. /Ballkani.info/