Kushdo që kalon nëpër autostradat e Kosovës do të vërejë se ato ka kohë që nuk mirëmbahen.
Barishte të rritura e kafshë të ndryshme që edhe mund të jenë të goditura dhe të ngordhura, por edhe që rrezikojnë pjesëmarrësit në komunikacion duke kaluar përmes autostradave!
E gjitha kjo për shkak se Ministria e Infrastrukturës nuk ka arritur të lidh marrëveshje kontraktuale me kompanitë për mirëmbajtjen e autostradave të vendit.
Ballkani.info mëson se që nga fillimi i këtij muaj kanë skaduar kontratat për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe autostradat.
Prandaj, me skadimin e kontratave dhe moslidhjen e të rejave, sidomos autostradat kanë mbetur “për faqe të zeze” dhe të rrezikshme për pjesëmarrësit në komunikacion.
Pasi nuk kanë mirëmbajtje, nuk ka as punëtorë që merren me aksidentet e mundshme, me kafshët, me rregullimin e ndarësve ndërmjet korsive, kositjen e barit në pjesët anësore, etj.
Deri para pak ditësh qytetarët janë tmerruar edhe me barishtet që kishin mbuluar rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, derisa mirëmbajtje aty ishte skandaloze dhe nuk kishte intervenim që nga fillimi i pranverës! /Ballkani.info/







