Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka ftuar shefat e grupeve parlamentare për të shkuar para Radio Televizionit të Kosovës për t’i mbajtur fjalimet e tyre, meqë televizioni publik nuk po e transmeton seancën e jashtëzakonshme për aferën e ambalazhuesve të ujit.

“RTK është transmetues publik që nënkupton se duhet t’i përgjigjet publikut, e jo individit e më së paku parapolitikës. Ne jemi të njoftuar se nuk ka transmetim të kësaj seance, kjo do të thotë mbytje të demokracisë edhe tentim që të mbytet edhe zëri i deputetëve që janë përfaqësues të qytetarëve të vendit”, tha Zemaj.

“Në orën 14:30 do të shkojmë në RTK dhe do t’i dorëzojmë fjalimet tona. Shefat e grupeve parlamentare do t’i drejtohen qytetarëve para RTK-së”, shtoi.

Për këtë çështje ka reaguar edhe deputetja tjetër e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka theksuar se derisa në Kuvend po mbahet seancë për shlyerjen e paligjshme të borxheve të ambalazhuesve të ujit, RTK 1, televizioni publik që financohet nga taksat e qytetarëve ka këtë pamje

“Kjo është kapja e institucioneve, kundër të cilës janë zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka shkruar deputetja e LDK-së në Facebook.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka potencuar se pushteti ka ndikuar që RTK-ja nuk po e transmeton në kanalin e parë debatin parlamentar lidhur me faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit.

“Për mua nuk është fare e pazakontë që transmetuesi publik paska vendosur që këtë seancë me rëndësi të veçantë të thirrur prej opozitës ta bartë në kanalin e tretë, sepse dorën e pushtetit apo thundrën e pushtetit, te Dejonës e plot të tjerëve e kemi parë tashmë e sa kohë shumë haptazi”, theksoi Deliu-Kodra.

Ndryshe, partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – dhe kabineti qeveritar nuk po marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Liburn Aliu, i cili udhëheq Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së bashku me e Naser Hafizin, pas hulumtimit të Albanian Post, u kuptua se kishin shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Marrë shkasë këtë raportim, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – pas një hetimi disa mujor – organizuan një aksion e cila rezultoi me arrestimin e sekretarit të kësaj ministrie, Izedin Bytyqit dhe të Naser Hafizit.