S’ka tolerancë, Pacolli shkarkon zv/ministrin që këmbëzbathur u shtri në veturën zyrtare

Një ditë më parë, në veturën zyrtare 3Z, u pa dikush i shtrirë gjatë qarkullimit nëpër rrugë.

Del se në këtë veturë të ishte i shtrirë dhe këmbëzbathur, zëvendësministri i Bujqësisë, Shukri Maxhuni.

Sipas tij, ai nuk e ka keqpërdorur veturën e tij zyrtare.

“Pas një dite të lodhshme në fakultet ka jom kthy ndoshta siç e kanë shpreh ata nuk është keqpërdor”.

Sipas Maxhunit, ai ishte shtrirë në atë mënyrë në veturë, për shkaqe shëndetësore.

“S’ka të bëj me ndonjë fodollak a keqpërdorim po për shkaqe shëndetësore se e dinë të gjithë që kam probleme me këmbën më është dashtë me shtri ka qenë një moment 15 minuta… dhe e ka kap dikush”.

Pas këtij raporti, ka qenë i menjëhershëm reagimi i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, raporton Ballkani.info.

Maxhuni është emëruar zëvendësministrër si pjesë e partisë së Pacollit, AKR.

Pacolli ka kërkuar nga kryeministrit Haradinaj shkarkimin e Maxhunit.

“I pahijshem akti i Zëvendës Ministrit të Bujqësisë zotni Maxhunit me sjelljen e tij në një veturë zyrtare. Kjo nuk është mënyra se si një zyrtar qeveritar sillet me pronën që është blerë nga taksat e qytetarëve tanë. Pavarësisht kush është , është një akt i papranushem që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë”, shkruan Pacolli.

Ai shton se kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla.

“Unë kam kërkuar nga Kryeministri të shkarkojë Zëvendësministrin Maxhuni nga detyra e tij. AKR dhe unë nuk do të tolerojmë dhe nuk pranojmë akte të tilla nga zyrtaret tanë. Zyrtarët publik duhet t’u shërbejnë qytetareve tanë dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre në një mënyrë të tillë”, ka shkruar në fund Pacolli. /Ballkani.info/

loading…