UEFA

S’ka më fazë të grupeve: Liga e Kampionëve zbulon ndryshimet që do të bëhen qysh nga sezoni i ri

Kompeticioni më i rëndësishëm në botë Liga e Kampionëve nga sezoni i ri 2024/25 nuk do të ketë më fazë të grupeve.

Që shumë vite, në Ligën e Kampionëve kanë qenë tetë grupe me nga katër skuadra, që nënkupton se 32 skuadra do të “luftonin” për titullin e kampionit të Evropës.

Megjithatë, UEFA ka ndryshuar këtë sistem duke e rritur numrin në 36 sosh, andaj edhe faza e grupeve do të zëvendësohet me të ashtuquajturën “faza e ligës”.

Secila skuadër do t’i zhvillojë tetë ndeshje, katër në shtëpi dhe katër si mysafir, që është një më shumë se ato që realizoheshin në fazën e grupeve.

Skuadrat që renditen në pozitat 1-8 do ta sigurojnë direkt kualifikimin për raundin e 16-të më të mirëve, kurse ato që renditen në pozitat 9-24 do të përballen me njëra tjetrën në një play-off nokauti.

Kurse, skuadrat që do të renditen 25-36 do të eliminohen përfundimisht nga kompeticioni.

E njëjta do të ndodhë edhe me kompeticionet e tjera si Liga e Evropës dhe Liga e Konferencës, vetëm se te kjo e fundit secila skuadër do t’i zhvillojë vetëm gjashtë ndeshje në fazën e ligës.