Situata në veri, Tirana zyrtare i drejtohet Serbisë: Të luash me zjarrin ide shumë e keqe, ne jemi me Kosovën

Ministrja shqiptare e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar për situatën e krijuar në veri të Kosovës me vendosjen e barrikadave dhe përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë. 

Në një postim në Twitter, Ministrja e Jashtme i ka bërë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë barrikadat dhe grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato.

“Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, thekson Xhaçka në rrjetin social.

“Po ndjekim me keqardhje minutë pas minute shfaqjen e një krize të tejzgjatur në mënyrë artificiale në veri të Kosovës dhe jemi thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i tensioneve,” ka shkruar ministrja.

Ajo shtoi se “barrikadat që janë ngritur në veri, jo prej ndonjë vale zemërimi popullor, por nga një grup kriminelësh famëkeq, nuk po pengojnë thjesht vijimin normal të jetës. Ato janë gjithashtu një skenë që të kujton ditët e errëta të viteve 1990 që rajoni ynë ka lënë pas së bashku me Jugosllavinë e shkuar përgjithmonë”, ka thënë Xhaçka.

“Për pak vjen viti 2023! Kjo nuk është koha për të bërë kërcënime ushtarake apo për sulme të papranueshme kundër Policisë së Kosovës, KFOR dhe Policisë së EULEX. Kjo është koha për dialog dhe bashkëpunim. Kjo përballje e rrezikshme duhet të marrë fund dhe autorët duhet të nxirren përpara drejtësisë”, ka shtuar ajo.

“Ne jemi me Kosovën në këtë situatë të vështirë dhe i bëjmë thirrje autoriteteve serbe të mos i justifikojnë as barrikadat e as grupet kriminale që refuzojnë t’i largojnë ato. Të luash me zjarrin është një ide shumë e keqe për të ardhmen e të gjithë fëmijëve tanë”, përmbyll postimin ministrja Xhaçka.

Ky është reagimi më i drejtpërdrejtë dhe i ashpër që ka ardhur nga Tirana zyrtare deri tani.

Kujtojmë se situata në veri të Kosovës vazhdon të përshkallëzohet.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve dhe qytetarëve që janë në lëvizje që t’i shfrytëzojnë pika të tjera kufitare pas mbylljes së vendkalimit kufitar në Merdar nga grupet kriminale serbe.

Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Si pasojë e barrikadave në rrugët magjistrale që çojnë drejt vendaklimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, dy vendkalimet Bërnjak e Jarinjë tash e disa ditë janë të mbyllura./Telegrafi/