Shefi i grupit parlamentar të Nismës SocialDemokratike, Bilall Sherifi ka thënë se shteti serb po zbaton presione të jashtëzakonshme ndaj bizneseve të Kosovës, si qëllim për prezantim të gjendjes në disa komuna veriore, si krizë humanitare.
Përmes një shkrimi në Facebook, Sherifi tha se nuk duhet t’i lejohet Serbisë që t’i shndërrojë komunat veriore të Kosovës në ‘Kafene Panda’.
“Gjatë një kohe relativisht të gjatë jemi dëshmitarë të dhunës, të arrestimeve, të kërcënimeve, të shantazheve dhe të formave të ndryshme të presioneve që pushteti i Beogradit ushtron ndaj përfaqësuesve serbë të integruar në institucionet e Kosovës.
Kohët e fundit shteti serb është duke zbatuar presione të jashtëzakonshme ndaj bizneseve të serbëve të Kosovës, sidomos ndaj sektorit që i ofron tregut gjërat e domosdoshme. Qëllimi politik i këtyre presioneve është prezantimi i gjendjes në disa komuna veriore të Kosovës si “krizë humanitare”, ka shkruar deputeti i Nismës.
Duke folur për mbylljen e të gjitha bizneseve, Sherifi po thotë se kjo është bërë me vendim politik të Serbisë, derisa ka folur edhe për reagimin e Qeverisë përmes Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë.
“Duke qenë i bindur se Serbia është në gjendje të rrezikojë jetën e qytetarëve të përkatësisë etnike serbe në Kosovë vetëm e vetëm për të “vërtetuar” planin e saj për një “katastrofë humanitare”, institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të organizojnë një takim me përfaqësuesit e shteteve të Quintit në Kosovë dhe të kërkohet që të sensibilizojnë shtetet e tyre për lojërat e rrezikshme që ka përgatitur Serbia dhe që përpiqet t’i zbatojë në komunat veriore të Kosovës”, shkroi tutje, duke kërkuar për këtë edhe reagimin e institucioneve ndërkombëtare.
“Reagimi sa më i shpejtë i institucioneve ndërkombëtare është imperativ i kohës, sepse në krye të shtetit të Serbisë janë pikërisht njerëzit që në të kaluarën e afër kanë përgatitur, kanë zbatuar dhe janë përpjekur të fshehin krizën humanitare në Kosovë. Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se komunat veriore të Kosovës nuk janë “Kafeneja Panda” ku mund të kryejnë krimin si dikur dhe të drejtojnë gishtin drejt shqiptarëve të Kosovës”, përfundoi deputeti.







