Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria, duke e vlerësuar këtë si një hap të madh për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Në një postim në rrjete sociale, Haradinaj ka theksuar se ky zhvillim është dëshmi se “bashkëpunimi i ngushtë me miqtë dhe aleatët sjell rezultate të jashtëzakonshme”. Ai ka vlerësuar gjithashtu punën e Presidentes së Kosovës në arritjen e këtij suksesi diplomatik.

“Siria e ka njohur Kosovën, duke u bërë kështu shteti i 120-të që e njeh pavarësinë tonë që nga shpallja e saj. Kemi ende shumë punë përpara, por Kosova është këtu për të qëndruar me botën demokratike, në një frymë me aleancat tona”, ka deklaruar Haradinaj.

Njohja nga Siria vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për të rritur numrin e njohjeve ndërkombëtare dhe për të forcuar pozicionin e saj në arenën globale.