Kosova duhet të jetë e orientuar në zhvillimin e shërbimeve jashtë vendit që të zhvillohet ekonomikisht. Kurse, ndërmarrësit duhet të kenë ekipet me të cilët fitojnë së bashku, e nuk pasurohen vetëm për vete.
Kështu thotë Edi Demaj, bashkëthemelues i “Rocket Fiber” me bazë në Detroit dhe i disa kompanive të tjera, në një bashkëbisedim me studentët e AUK-ut.
Kështu studentët patën rastin të njihen nga afër me rrugën që ky sipërmarrës i suksesshëm ka ndjekur për të arritur deri këtu ku është, ndërsa patën rastin të marrin edhe këshillat e tij për ndërmarrësinë. Demaj ka treguar për ditën kur ka filluar themelimin e kompanisë të parë të tij, kur edhe ka filluar gjithçka. Për të arritur suksesin, ai thotë se duhet insistuar shumë në mënyrë që ideja të rezultojë e suksesshme praktikisht. Ai tha se financat, kontabiliteti dhe kontratat janë bazat që çdo ndërmarrës duhet t’iu kushtojë rëndësi, por shtoi se po aq e rëndësishme është edhe njohja e ligjit.
Sipas tij, është jetike që një person që dëshiron të themelojë një kompani, së pari të prezantojë idenë e tij, e të mos jepet fillimisht pas numrave. Për këtë ai tha se “njerëzit që ndjekin numrat, kurrë s’bëjnë para”.
Sipërmarrësi nga Amerika, thotë se gjithmonë dëshiron që të nxisë të tjerët të investojnë në Kosovë, pasi edhe këtu mund të bëhet diçka e mirë.
Ai tha se fjalën ‘punëtor’ nuk e përdorin, pasi thotë se ekipi bashkëpunon në mënyrën më të mirë të mundshme.
Për këtë ai dha një sugjerim për të gjithë pronarët e kompanive. Në fund, Demaj tha se nëse ndonjë studentë i interesuar i AUK-ut dëshiron të kontaktojë me të për të prezantuar idetë e tyre në mënyrë që të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit, atëherë patjetër se do t’i përgjigjet pozitivisht për atë që mund të ndihmojë./KP/







