Sipas Maradonas, Messi do të rikthehet te kombëtarja e Argjentinës

Legjenda argjentinase, Diego Armando Maradona beson se 5 herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi do të rikthehet te kombëtarja “Albiceleste”.

31 vjeçari për herë të fundit ka luajtur për Argjentinën në ndeshjen ndaj Francës në Kupën e Botës që u zhvillua verën e kaluar në Rusi, ndërsa i ka humbur miqësoret e muajt shtator dhe tetor derisa do të jetë jashtë edhe në miqësoren e dyfishtë me Meksikën këtë muaj.

Por Maradona që udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës së vitit 1986 mendon se Messi do të rikthehet gjersa mohoi ta ketë ofenduar yllin e Barcelonës.

“Mendoj se do të rikthehet, do të shohim sepse nëse nuk vjen atëherë do të jemi në telashe serioze. Messi është mik i imi, unë nuk flas keq asnjëherë për miqtë e mij. Do të ia thoja në fytyrë dhe jo përmes intervistave”, tha Maradona.

58 vjeçari kishte thënë se Messit i mungon lidershipi dhe se shkonte 20 herë në banjo para fillimit të ndeshjeve, por në daljen e fundit publike Maradona ka mohuar t’i jetë referuar Messit.