Sipas Gjuriqit, “shqiptarët kanë mbyllur rrugët e furnizimit me ushqime të serbëve në veri”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka shprehur shqetësimin, siç është shprehur, “për shkak të presioneve të Prishtinës ndaj serbëve në veri të Kosovës”, raporton B92.

Sipas tij, “shqiptarët gjatë ditëve të fundit kanë mbyllur kanalet e furnizimit me artikuj themelorë jetësorë nga Serbia qendrore”.

Televizionit Pink të Beogradit ai i ka thënë se “ka nisur të shfaqen mungesa artikujsh në komunat në veri të Kosovës”, dhe ka shtuar se “Serbia do të gjejë mënyrë për të dërguar mallra për popullin e saj në jug të Krahinës”, siç e quan ai Republikën e Kosovës.

Gjuriq i ka thënë këtij televizioni se3 “Prishitna këtë veprim të vetin e mbështet në Marrëveshjen e nënshkruar më 23 shkurt të vitit 2012, nga Borko Stefanoviqi, sipas të cilës është vendosur policia kufitare në pikëkalimet (kufitare) në Jarinje dhe Bërnjak”.

“Kjo polici kufitare tani rrëmben kamionë e kombi me mallra, ndërsa në Mitrovicë ka mungesë mallrash. Ne do të gjejmë zgjidhje për të dërguar gjithë çfarë duhet për popullin tonë në Kosovë e Metohi, serbët s’kanë pse të mërziten”, është shprehur Gjuriq.

ka shtuar se në bazë të Planit kornizë të presidentit, Serbia është duke realizuar 140 projekte për të ndihmuar serbët në Kosovë dhe se ka përfunduar njëri nga projektet strategjike – ujësjellësi rajonal për veriun e Kosovës, i cili do të lëshohet në punë më 28 qershor, për Vidovdan (që shënon Luftën e Kosovës të 1389 -v.j). Po ashtu ka thënë se më 12 korrik do të inaugurohet edhe objekti i ri i banjës në Banjskë, i cili përveç hapësirave shëruese, do të ketë edhe basene të hapëta e të mbyllura.

Ai është shprehur falënderues ndaj gjykatësit të parë ndërkombëtar në Kosovë, suedezit Christer Karphammer, i cili, sipas Gjuriqit, ka thënë se amerikanët kanë ndikuar që të fshihen krimet e shqiptarëve në Kosovë. Po ashtu ai ka treguar se “Prokuroria serbe ka lëndë voluminoze për të gjithë liderët e UIÇK-së si dhe se në saje të veprimtarisë se organeve shtetërore serbe në listën e të kërkuarve nga Interpoli vazhdojnë të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj”

“Sot është krejt e qartë se pa Serbinë nuk do të ketë zgjidhje për Kosovën, dhe kjo është rezultat i punës së pandalur shumëvjeçare”, ka thënë ndër të tjera Gjuriq, transmeton Koha.net raportimin e B92.

Koha.net rikujton raportimin e mediave në Kosovë për qëllimin e pushtetit në Serbi që të paraqesin mungesën e artikujve themelor për jetesë në veri të Kosovës.