Sipas analistëve, nëse nuk ka marrëveshje LDK-LVV duhet qeveri kalimtare

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po e kanë të lehtë t’i ndajnë postet politike, edhe pse për programin bashkëqeverisës tashmë janë dakorduar.

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se mosmarrëveshja për ndarjen e posteve është zhgënjyese për elektoratin e të dy partive. “Nëse nuk arrihet një marrëveshje e shpejt ndërmjet këtyre dy partive, analistët vlerësojnë që një qeveri kalimtare do ta shpëtonte vendin nga ngërçi politik.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse patën premtuar që menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve do ta zyrtarizojnë koalicionin qeverisës, tashme kur janë bërë më shumë se një javë, ende nuk ka ndodhur një gjë e tille.

Pengesa kryesore është mosmarrëveshja për ndarjen e posteve politike. Analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se mosmarrëveshja e LVV dhe LDK-së për ndarjen e posteve politike është dëshpëruese për elektoratin e dy partive. Sipas Burjanit, nëse këto dy parti nuk do të mundë të merren vesh për bashkëqeverisje, zgjidhja e duhur do të ishte një qeveri kalimtare, vetëm sa për t’i përfunduar disa punë që, sipas Burjanit, nuk presin.

“Ndoshta opsioni më i mirë, për të mos shkuar direkt në zgjedhje të jashtëzakonshme do të ishte krijimi i një qeverie kalimtare, pra, një qeverie që do të jetë reformuese dhe do ta ketë votën e parlamentit aktual, d.m.th të këtyre që kanë fituar mandatin e deputetëve, dhe ta respektojnë mandatin e një qeverie kalimtare për periudhën 9 mujore apo së paku për periudhën njëvjeçare”, citon RTK-ja Burjanin.

Ndërkaq, njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me LDK-në, do të duhej të merren vesh sa më shpejt dhe të fillojnë qeverisjen. Ndryshe, Baraliu mendon që sipas Kushtetutës ka afat mjaftueshëm që këto dy parti të merren vesh dhe vendi të mos kalojë në ngërç politik, siç ka ndodh më parë.

“Dy partitë fituese duhet t’i flasin arsyes dhe të merren vesh pa kërkesa të mëdha dhe antikushtetuese, dhe të bëjnë një koalicion dhe të fillojnë qeverisjen, pasi ka shumë punë të mbetura përgjysmë nga qeverisja e kaluar, dhe ka shumë probleme që lidhen me miratimin e buxhetit, që është i lidhur me afat ligjor” , theksoi Baraliu.

Baraliu gjithashtu, vlerëson se mosmarrëveshja për ndarjen e posteve politike mes LVV dhe LDK-së është zhgënjyese për elektoratin e dy partive.

“Elektorati i këtyre dy partive nuk ia ka dhënë mandatin dhe as besimin asnjërës prej këtyre dy partive që të bëjnë kalkulime politike dhe tregti politike, të kërkojnë në mënyrë irracionale dhe të pamerituar poste të cilat në asnjë mënyrë nuk do të duhej të hynin në matematikat e kësaj marrëveshjeje”, deklaroj Baraliu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me 27 nëntor ka certifikuar zgjedhjet e 6 tetorit. Ndërkaq, LVV e LDK, ndonëse për programin qeverisës janë marrë vesh më lehtë, për ndarjen e posteve politike kanë hasur në vështirësi, çka edhe po e vonon krijimin e institucioneve.