Qeveria

Sinjale pozitive për LDK-në!? Qeveria akuzon kuvendin se nuk po i del në ndihmë gjatë pandemisë

Zyrtarë të qeverisë në detyrë, kanë thënë se agjenda politike nuk ka penguar në asnjë mënyrë hapat që është dashur të merren gjatë kohës së pandemisë në aspektin ekonomik.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë në detyrë, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë miratuar një Pako Emergjente Fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, e cila është në zbatim dhe se janë duke e hartuar edhe pakon e dytë e cila ka në fokus vetëm rimëkëmbjen ekonomike.

Kjo sipas tij, tregon se Qeveria në detyrë e Kosovës nuk ka harruar përgjegjësinë që ka për shëndetin ekonomik.

Por, Kryeziu shton se sikur të ishte një situatë tjetër politike ka mundur të bëhen hapa më efektivë.

“Nëse do të kishte një përballje më të mirë ndërpolitik padyshim vëmendja do të ishte edhe më e madhe edhe më efektive në aspektin ekonomik, por ne kemi vepruar në një ambient të polarizuar ekonomik, në një parlament që nuk shpreh gatishmërinë që t’i dalë në ndihmë ekonomisë së vendit përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe Transfereve”, thotë ai.