Sindikata e Punëtorëve të PTK-së kërkon mos vazhdimin e kontratës me Z-Mobile, paralajmëron masa

Federata Sindikale e Punëtorëve të PTK-së ka kërkuar që të mos vazhdohet kontrata me Z-Mobile.

Në rast se ndodh një gjë e tillë kanë paralajmëruar se punëtorët do të bojkotojnë çdo aktivitet në punë që ka lidhje më këtë kontratë.

Kjo Sindikatë tregon se më 30 korrik 2019 skadon kontrata tejet e dëmshme për Telekomin e Kosovës, e lidhur me Z-Mobile vite më parë.

Sindikata numëron dëmet që ka shkaktuar kjo marrëveshje:

– Rrjeti dhe puna jonë, ndërsa tërë fitimi i Z-Mobile;

– Ngarkesat në rrjet dhe degradimi i shërbimeve tona për shkak të shërbimeve jo-konkurruese të Z-Mobile;

– Rreth 110 milion € humbje për këto vite nga Z-Mobile;

– Vazhdimi i kësaj kontrate është falimentim për Telekomin e Kosovës dhe humbje e vendeve të punës për punëtorët;

“Prandaj, ne, punëtorë të Telekomit të Kosovës, kërkojmë me çdo kusht që mos të vazhdohet kontrata korruptive ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile. Përndryshe, paralajmërojmë të gjithë se, bazuar në të drejtat tona sindikale të garantuara me ligj, do ta bojkotojmë çdo aktivitet në punë që ka lidhje më këtë kontratë”, thotë kjo sindikatë.