Sindikata e Policisë së Kosovës e indinjuar me suspendimin e trajtimin që po u bëhet policëve

Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e gjithë anëtarësisë dhe të punonjësve të Policisë së Kosovës që i përfaqëson lidhur me, siç shprehen ata, situatën e krijuar përkitazi me prezantimin dhe linçimin përmes një numri të mediave të shkruara dhe atyre elektronike ndaj një numri të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës.

Kjo lidhur me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policor në Gjakovë, si dhe rasti i trajtimit të zyrtarëve policorë të angazhuar në rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq më 29.03.2018 nga Kosova.

Sindikata e PK-së thotë se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Është brengosëse se si ata pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste. Në këto raste zyrtarët policorë kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër”, theksohet në reagimin e sindikatës së Policisë së Kosovës.

Kjo sindikatë thotë se ‘Është e pajustifikueshme që gati pas një viti të rastit të ndodhur në Gjakovë të suspendohen eprorë dhe zyrtarë policorë të këtij stacioni’.

Suspendohet komandanti i Policisë në Gjakovë dhe pesë zyrtarë të tjerë policorë

Sipas tyre, këta zyrtarë duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa procedurat në organe kompetente të vazhdojnë.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka theksuar se mbështet të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës që janë të bazuara në ligjet në fuqi dhe kryerjen detyrave me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Nëse vazhdon një përbuzje dhe trajtim i tillë i këtyre pjesëtarëve nga kushdo qoftë, sindikata do të shfrytëzoj të gjitha mjetet sindikale që ka në dispozicion për t’u dal në mbrojtje. Sindikata kërkon nga institucionet e vendit të kryejnë obligimet e tyre karshi obligimeve që kanë ndaj këtij shërbimi.”, thekson sindikata e PK-së.

loading…