Sindikata dhe bizneset ia kujtojnë Muratit: Edhe në shtet ka paga 180 -190 euro

Kërkesa e ministrit të Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit për bizneset që të rrisin pagat e punëtorëve të sektorit privat është cilësuar si e “pavend” nga përfaqësuesit e bizneseve.

Të mërkurën ministri Murati ka kërkuar që biznesit të lëvizin – të rrisin pagat, pasi thotë se “kanë profit më të lartë”, e ka përmendur edhe inflacionin si faktor ndikues në këtë profit.

“Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim – pra punëtorët. Sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta”, ka shkruar Murati në Facebook më 9 nëntor, teksa ka treguar se shteti do t’i ndihmojë sipërmarrjet që i rrisin pagat për punëtorët.

Megjithatë, Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike, i ka thënë Gazetës Express se “rritja e pagave ka ndodhur”.

“Ka rritje të pagave edhe pa kërkesën e ministrit“, ka thënë Rafuna.

E për kërkesën e ministrit thotë se nuk është ai ”që mund ta shtroj këtë kërkesë”.

“Rritja e pagave përcaktohet nga kërkesa dhe oferta”, thotë Rafuna.

E pikërisht ndryshimet në treg – emigrimi i kosovarëve ka reflektuar zbrazësi në treg rrjedhimisht edhe rritje të pagave, i ka thënë Gazetës Express Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

E pranon që në treg ka pasur rritje të pagave, poqë ai kërkesën e Muratit nuk e merr si të mirëqene.

Thotë se ka punëtorë të kompanive që punojnë për shtetin e që marrin 180-190 euro në muaj.

“Ministria e Financave dhe e Shëndetësisë financojnë kompanitë që mirëmbajnë QKUK-në, pse këtyre punëtorëve nuk iu ritet paga”, pyet Azemi.

Në këtë drejtim, Azemi mendon që kërkesa e Muratit ka një qëllim tjetër – ta mbulojë vendimin e tyre siç e quan ai “të çoroditur”, për të mos pasur shtesa për punëtorët e sektorit privat.

“Punëtorët e sektorit privat janë të prekur nga kriza, ata paguajnë më së shumti tatim dhe nuk ndihmohen nga shteti”, ka thënë Azemi.

“Shteti nuk e ka vendin e ndërhyrjes në ekonomi“ mendon Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (ARBK).

Shahini thotë se pagat janë rritur në kushtet e tregut.

“Kemi bërë disa herë thirrje për ngritje të pagave, nuk ka nevojë ministri ta bëjë këtë kërkesë”, ka thënë ai.

Pos kësaj, thotë se gjatë muajit shtator ka pasur grevë në sektorin e arsimit pikërisht sepse shteti nuk ia ngriste pagat sektorit publik.

“Nuk ia kanë ngritur pagat sektorit publik dhe kërkojnë që këtë sektori privat“, shton Shahini teksa pohon se ”rritja ka ndodhur”.

Çfarë ka thënë Murati?

”Bizneset t’i rrisin pagat e punëtorëve“, e ka nisur postimin në Facebook Hekuran Murati.

Ai ka thënë se ”çmimet janë rritur, por bashkë me çmimet, shumica e bizneseve kanë rritur edhe fitimet“.

”Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim – pra punëtorët. Sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta”, kishte thënë ai.

E shteti ka ofruar edhe një ndihmë për sipërmarrjet që e zbatojnë këtë kërkesë.

”Për ta bërë më të lehtë, qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme”.

”Secili biznes që ka rritur pagat e punëtorëve nga shtatori e këtej, dhe dëshiron të përfitojë nga mbështetja e qeverisë, mund të aplikojë në platformën EDI deri më 20 dhjetor“, ka deklaruar menaxheri i kuletës së shtetit.

Kurti u lavdërua për rritjen e profit të bizneseve

”Qarkullimi i bizneseve për periudhën janar-gusht 2022 ka shënuar rritje prej 21.6% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 67.9% krahasuar me vitin 2020“.

Në këtë mënyrë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte krenuar për qarkullimin e bizneseve, përmes një postimi në Facebook më 8 tetor.

Por Kurti nuk e përmendi si Murati efektin e inflacionit te bizneset.

Opozita si e tërë e ka kritikuar Kurtin se ”po përdor statistikat nominale për të paraqitur sukses ekonomik“.