Sindikalisti i Telekomit thotë se u kërcënua nga kryeshefi ekzekutiv, Bedri Istrefi

Kreu i Sindikatës Profesioniste të Telekomit të Kosovës, Muhamet Xhemajli, thotë të jetë kërcënuar nga kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Bedri Istrefi.

Rasti që ka përfunduar edhe në Polici kishte nisur pas një reagimi të kësaj sindikate për gjendjen në Telekom.

“Unë e konfirmoj se jam kërcënuar nga kryeshefi ekzekutiv në një bisedë telefonike pas reagimit publik i cili është bërë në media për gjendjen në Telekom dhe rasti është nën hetime”, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se nga kryeshefi është kërcënuar sipas tij me “fjalët më të rënda”.

Këtë rast për Buletinin Ekonomik e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, derisa e kanë kualfikuar si “kanosje”.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se në kuadër të stacionit Policor Jugu ne Prishtinë, me datën 21.10.2019, është iniciuar rasti “ Kanosje”. Me rastin është duke u marrë njësiti i hetimeve”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, në një përgjigje përmes telefonit, kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi ka mohuar se e ka kërcënuar Xhemajlin, por ka pranuar se e ka kontaktuar të njëjtin lidhur me një reagim që sindikata kishte pasur lidhur me gjendjen në Telekom.

Ndryshe në reagimin e kësaj sindikate thuhet se në Telekom janë anuluar të gjitha konkurset interne dhe se po emërohen nëpër pozita njerëz pa kurrfarë kriteresh. Në komunikatë thuhet se po rrezikohet mirëqenia e punëtorëve meqë 85 për qind e tyre janë në kredi.

loading…