Vendim

 Sindikalistët e “ElektroKosova” nuk do të lejojnë shkeljen e të drejtave të tyre nga KEDS-i

Federata e Sindikatave të Pavarura ElektroKosova, deklaron se po vazhdon të jetë sfidë për ta mbrojtja dhe afirmimi i të drejtave të punëtorëve. Me këtë rast kanë përmendur mos realizimin e vendimit të gjykatës nga KEDS-i për kthimin në punë të 93 punëtorëve, për çka u bë e ditur se ditën e djeshme KEDS-i është dënuar me 10 mijë euro gjobë.

Kryetari i kësaj sindikate Hysni Gashi, ka thënë se nuk do të lejojnë askënd që t’i shkel të drejtat e punëtorëve, e këtu ka përmendur edhe KEDS-in.

“Apeloj tek Bordi i KEDS-it që të zbatojë ligjet e aplikueshme në Kosovë, përndryshe ne do të detyrohemi të vazhdojmë luftën tonë për kërkimin e plotësimin e të drejtave të punëtorëve dhe gjithmonë konform ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Jemi për të ruajtur çdo investitor të jashtëm, por nuk do të lejojmë askënd pra as KEDS-in t’i shkel të drejtat e punëtorëve”, tha ai.

Ai ka kërkuar që sa më shpejt të nënshkruhet marrëveshja kolektive, që sipas tij, kjo i shpëton punëtorët.

Ndërkaq, Rashit Gashi, sekretar në FSPE, ka thënë se për ta vazhdon të jetë sfidë mbrojtja dhe afirmimi i të drejtave të punëtorëve.

“Për ne vazhdon të jetë sfidë mbrojtja dhe afirmimi i të drejtave të punëtorëve dhe është fatkeqësia jashtëzakonisht e madhe që edhe në këtë moment kur po e mbajmë këtë konferencë, saktësisht dje KEDS është gjobitur me 10 mijë euro nga Gjykata kompetente për mos realizimin e vendimit të gjykatës. Kjo është për keqardhje që për këtë fund vit të paktën ata punëtor do të duhej të ftoheshin dhe të mos vazhdojnë të neglizhoj vendimet e gjykatave, inspektoratit të të punës, në këtë rast Bordi i KEDS-it. Më të vërtet është për keqardhje dhe po shpresojmë që gjatë vitit të ardhshëm ky menaxhment dhe ky Bord t’i menaxhoj mirë marrëdhëniet me punëtor dhe të mos vazhdojë me kryeneçësi me këto qëllime”, u shpreh ai.

Në këtë konferencë për media, Federata e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova, ka ndarë mirënjohje për bashkëpunëtorët e tyre gjatë këtij viti. Mirënjohje kanë gazetarët e KTV-së Alberta Hashani dhe Mufail Bajqinovci, pastaj Agjencia e Lajmeve KosovaPress, Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i cili me këtë rast ka thënë se është i nderuar se është vlerësuar nga punëtorët, po ashtu, mirënjohje ka marrë edhe kryetari i BSPK-së Avni Ajdini, i cili me këtë rast ka kërkuar që të nënshkruhet marrëveshja kolektive. Mirënjohje ka marrë edhe Nexhat Llumnica, nga sindikata e re në KEK, si dhe kryetarët e sindikatave nëpër regjione.