Simiq zbulon pjesë të planit të Vuçiqit për veriun: Serbia planifikon punësimin e 600 personave me shkollim të mesëm

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë sot se konkluzionet e prezantuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Rashkë, kanë një rezonancë pozitive tek serbët e Kosovës dhe duhet, siç thotë ai, “t’i përgjigjen represionit të regjimit të Albin Kurtit, si dhe të forcojë ekonomikisht serbët nga këto zona”.

“Përfaqësuesit e popullit serb, të udhëhequr nga Lista Serbe, kishin kërkesa jashtëzakonisht të ashpra, bazuar në veprimet dhe forcën brutale të regjimit të Albin Kurtit, të cilat kulmuan me përpjekjet për të vrarë serbët në veri të Kosovës”, tha Simiq për Tanjug.

Simiq shtoi se dje në Rashkë janë paraqitur konkluzionet me të cilat kërkohet respektimi i marrëveshjes për targa, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe tërheqja e njësive speciale. Simiq tutje tha se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të organizuara nga Prishtina.

“U vendos unanimisht që Lista Serbe të mos marrë pjesë në këto zgjedhje dhe besoj se asnjë serb nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet që duhet t’i mundësojnë Albin Kurtit të pushtojë veriun e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se është domethënëse që Serbia do të ndajë burime ekonomike për të ndihmuar serbët në veri dhe në jug të Ibrit përmes krijimit të qindra vendeve të punës.

“Planifikohet të punësohen deri në 600 persona me arsim të mesëm dhe të lartë, pastaj 100 persona me arsim të lartë dhe kjo ka të bëjë me personat deri në 35 vjeç që do të krijojnë familjet e tyre këtu, apo që kanë krijuar tashmë familjet e tyre dhe që planifikojnë të qëndrojmë për ta mbrojtur këtë zonë për brezat që do të vijnë”, tha ai.

Nënkryetari i Listës Serbe shtoi se ka plane edhe për forcimin e shëndetësisë përmes punësimit të 50 mjekëve dhe 50 infermierëve.