Si vendosi Kurti në një moment t’i besonte Hovenierit më shumë sesa vetes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u duk sikur kishte vendosur përfundimisht që deri në fund të mos i dëgjonte ndërkombëtarët për punën e veriut. Shumëkush mund të mos e besojë, por shefi i Qeverisë tregoi se në një moment gjatë javës që shkoi, vendosi t’i besonte më shumë ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, sesa vetes.

Ka mbetur ende e papublikuar një intervistë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë për gazetën gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung. Gazetari Michael Martens tregoi të shtunën paradite se sapo e kishte intervistuar Kurtin.

Marrëveshjen e arritur të mërkurën me Serbinë, e cila e zgjidhi të paktën përkohësisht çështjen e targave të automjeteve, Kurti fillimisht e ka vlerësuar shumë. Por sipas Martens, në intervistë kryeministri i Kosovës e cilësoi si kompromis këtë marrëveshje.

Sipas Martens, Kurti ka thënë se marrëveshja u nënshkrua pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier e kishte parlajmëruar se situata në veri të vendit “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

“Ambasadori amerikan kishte më shumë informacion se unë për situatën në veri”, citohet të ketë thënë Kurti. Sipas Martens, ai ka përmendur “shqetësimet e sigurisë”, pa hyrë në detaje.

Fjalët e Kurtit s’i përgënjeshtroi askush, por intervista e kryeministrit nuk është publikuar ende.

Ish-kryediplomatja, Meliza Haradinaj-Stublla, ishte ndër të parët që reagoi.

“Kjo deklarate nese nuk eshte nxjerre nga konteksti nga gazetari (si jo rralle ne te kaluaren) eshte skandaloze per tu thene per nje medium nderkombetar”, shkroi ajo në Twitter.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, konsideroi se Kurti nuk është i aftë t’i kuptojë mesazhet e aleatëve.

“Është shqetësuese paaftësia e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me i kuptue me kohë mesazhet tona dhe të aleatëve tanë për politikë të urtë, në bashkërendim me aleatët dhe miqtë tanë, në kohën kur ka përpjekje intensive ndërkombëtare për përmbyllje të dialogut për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, e cila në thelb duhet ta ketë njohjen reciproke”, shkroi ndër tjerash Hamiti në një postim në facebook.

Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi, shkroi për dallimet në mes të asaj çfarë tha Kurti para deputetëve të enjten dhe asaj që ia tha gazetarit Martens.

“Qasja e tillë e kryeministrit Kurti dëshmon mospërfilljen totale ndaj përfaqësuesve të qytetarëve të Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës! Është dëshmi që kryeministri Albin Kurti Kuvendin e Kosovës dhe deputetët i trajton në të njëjtën mënyrë siç i trajtonte dikur senatin dhe senatorët e Romës perandori famëkeq Kaligula!”, shkroi ai.

Kurti tha në seancën e fundit të Kuvendit se u bë mirë me marrëveshjen e arritur të mërkurën mbrëma në Bruksel. Njëherë tha se ajo “nuk është marrëveshje për targat”. Pak më vonë, tha se marrëveshja “mund të shihet edhe si koncesion”, por se ai beson se “dobia ka qenë shumë e madhe” dhe se nuk është cenuar “kurrfarë substance” e vendit.

“Janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serbë që i kanë tabelat ilegale KM, PR, DJ e të tjera, e të cilat janë regjistruar sivjet. Krejt tjerat janë më të vjetra se sivjet. Atyre krejt ka me ju dalë regjistrimi. S’ka më regjistrim. Është e vërtetë që po bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë, për veriun, por po bëhet po ashtu fjalë për një pjesë të Serbisë për qendrën e regjistrimit të automjeteve në Rashkë. A është koncesion? Po, mund të shihet edhe si koncesion. Por unë besoj që dobia ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi cenuar kurrfarë substance. Për besë nuk kemi cenuar kurrfarë substance të vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Ai u shpreh i papenduar që nuk e përfilli kërkesën e SHBA-së që ta shtyjë për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave. Ashtu, tha se substanca e shtetit “do të cenohej shumë më tepër”.