Me një seri dramash, një vit më parë, Vjosa Osmani u zgjodh në postin e Presidentes. Nga deklarata e Xhavit Halitit që tingëllonte si një hajgare, deri te sfilata e Kurtit në Kuvend me deputeten Adelina Grainca, më poshtë po sjellim një përmbledhje të shkurtër të asaj se çka ndodhi një vit më parë.
Në seancën ku Vjosa Osmani u zgjodh president e Kosovës, nuk morën pjesë PDK dhe AAK.
Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës,që është në opozitë.
Histori e shkurtër e 24 orëve deri të zgjedhja e Osmanit Presidente
Të shtunën e 3 prillit 2021, kishte dështuar seanca për zgjedhjen e Presidentes së Kosovës, ku kandidate ishte – tani presidentja – Vjosa Osmani. Kjo pasi Kuvendi nuk kishte kuorum.
Një ditë më vonë, të dielën e 4 prillit 2021, Kuvendi i Kosovës pati zgjedhur Osmanin me 71 vota për në postin e Presidentes.
Derisa nuk ishte e sigurtë se Osmani do të kalonte në Kuvend, rikujtojmë dramën e asaj të diele, nga pritja e Vetëvendosjes për Xhavit Halitin deri te kalimi i Adelina Graincës nga PDK në Vetëvendosje, po atë ditë.
Drama me Xhavit Halitin
Ishte mëngjesi i së dielës sot një vit, 4 prill 2021, kur populli po qeshte shkaku i një deklarate të deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, i cili pati thënë se ‘ishte jashtë vendit’ sepse ‘po ta dinte se kishte seancë për Presidentin’ do të shkonte në Kuvend për të votuar. Pse qeshte populli? Për ymydin e Vetëvendosjes në votën e Xhavit Halitit.
E kjo e kishte shtyrë Albulena Haxhiun, ministre e Drejtësisë, të shpresonte që Xhavit Haliti të ishte të nesërmen në sallë.
“Natyrisht se i bëjmë ftesë edhe Xhavit Halitit që të vie nesër dhe të votojë”, pati deklaruar ministrja Haxhiu të shtunën e 3 prillit 2021.
Ndërkaq, të dielën, Osmanit ia mundësuan zgjedhjen Presidente deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke ia bërë kuorumin.
Përveç LDK-së, në seancë patën marrë pjesë edhe dy deputetë nga radhët e komuniteteve joserbe, Adem Hoxha dhe Fadil Gashi si dhe Adelina Grainca nga PDK-ja dhe Albena Reshitaj nga AAK-ja. Më vonë u konfirmua se Grainca ka kaluar në Grupin Parlamentar të LVV-së.
Sfilata e Kurtit në Kuvend me deputeten Adelina Grainca
4 prilli 2021, do të mbahet mend për befasinë që Kurti ia bëri opozitës. Një deputete me emrin Adelina Grainca, të cilët përgjatë një viti nuk ia kemi dëgjuar zërin kurrë, pati bërë një fushatë tejet dinamike, duke rënë kështu në syrin kureshtarë të medias dhe publikut.
Por, kureshtje zgjoi më shumë, kur u pa teksa hynte në sallën e Kuvendit krah kryeministrit Kurti për ta votuar Vjosa Osmanin presidente.
Në opinionin publik dhe në kritikën e partive opozitare, veprimi i tillë i Kurtit ishte parë si ‘kontrabandim me deputetë’.
Një vit më pas, znj.Vjosa Osmani vazhdon punën si Presidente. Lidhur me kritikat me të cilat po përballet, lexo më shumë këtu!






