Si u rrezikua siguria e ish-sekretarit amerikan John Kerry në Aeroportin e Prishtinës?

Raporti i hetuesve te BE-se kishte alarmuar edhe për një incident që ishte munduar të mbahej i fshehur nga Bahri Nurdein ndaj të cilit tashmë rëndon një aktakuzë nga Prokuroria Speciale. U ndal rryma e nuk pati gjenerator rezerve. Por, pse sipas hetuesve evropian ky nuk ishte as incident i izoluar?

Përveç skandalit me tenderin 8 milionësh, Bahri Nuredini ishte i përfshirë edhe në një skandal tjetër.

Në shtatori të vitit 2016 Sekretari Amerikan i Shtetit do të vizitonte Kosovën. Dy orë para arritjes së tij në Aeroportin e Prishtinës u ndal rryma. Gjeneratori nuk u ndez dhe me vetëm dy rezerva “UPS” stafi i aeroportit nën ethe po e priste këtë zyrtar të lartë të shtetit amerikan.

Në këtë raport EULEX ngre shqetësime për dështime serioze në sistemin e sigurisë së Aeroportit “Adem Jashari” dhe për krime financiare në projekte milionëshe, në të cilat pretendon të jetë i përfshirë ish-drejtori i Agjencisë për Shërbime të Navigacionit Ajror (AShNA), Bahri Nuredin.

“Ky (incidenti me Sekretarin Amerikan të Shtetit) nuk ishte një incident i izoluar”, pretendohet në këtë raport dhe thuhet se arsyeja është se në Kullën e Aeroportit mungon edhe një gjenerator i dytë rezervë që duhej të sigurohej, diçka që kurrë nuk u bë, dhe një marrëveshje për shfrytëzimin e gjeneratorëve të kompanisë turke LIMAK që menaxhon me Aeroportin ishte arritur, por Bahri Nuredini u kishte thënë zëvendësve të tij se duhet të mos bëjnë zhurmë për këtë çështje derisa ai të kthehej nga pushimet.

Një gjenerator i dytë nuk u sigurua, dhe në mars 2017 një avari tjetër me rrymë u shkaktua në Aeroport.

Në këtë raport konfidencial të EUOCI të publikuar nga Insajderi, ngriten shqetësime për tri çështje: prishjet e rrezikshme me pasoja serioze të sigurisë, si prishja radarëve dhe pjesëve rezervë te komunikimit, rreziku serioz që vjen me mungesën e gjeneratorit rezervë në Aeroport dhe, mbi të gjitha, dyshimet serioze e të bazuara për krime financiare nga menaxhmenti i AShNA .

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj nipit të komandantit Adem Jashari, Bahri Nuredini. Ai së bashku me dajën e tij Bekim Jasharin kishin qenë nën hetim për keqpërdorimin e mbi 8 milionë euro.

Zyrtari tjetër që akuzohet së bashku me Nuredini është Driton Mehaj. Të njëjtit dyshohen se keqpërdorën mbi 8 milionë euro me një tender në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas prokurorisë Nuredini e Mehaj dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy zyrtarëve me inicialet B.N dhe D.M. Ata dyshohen për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Speciale, Bahri Nuredini së bashku me Driton Mehajn tjetër gjatë periudhës kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në vazhdimësi dhe në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), të pandehurit B.N. dhe D.M e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar OE “TCN” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm.