Në shenjë rezistence ndaj thirrjeve nga perëndimi për të zgjedhur mes Moskës dhe Perëndimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se marrëdhëniet vëllazërore të vendit të tij me Rusinë nuk mund të shkatërrohen dhe se Beogradi nuk do t’i nënshtrohet kurrë presionit gjatë një takimi me Turk Daudov, një këshilltar i liderit kontrovers çeçen, Ramzan Kadyrov, shkruan portali i Brukselit “Euraktiv” me autore Alice Taylor, redaktore dhe reportere për Shqipërinë dhe Kosovën.

Teksti me titull “Vuçiq vlerëson vëllazërinë ruso-serbe ndërsa tensionet rajonale rriten” po e sjellim të përkthyer nga anglishtja:

Vuçiq u takua me Daudov në Beograd, madje bëri një foto me veshje tradicionale çeçene që ishte dhuratë.

“Për ne, populli rus është populli ynë vëlla, dhe historia shekullore e ka dëshmuar shumë herë. Prandaj, marrëdhëniet ruso-serbe nuk mund të shemben nën asnjë presion”, tha Vuçiq.

Komentet vijnë një ditë pasi diplomati i lartë i BE-së Josep Borrell tha se Brukseli ishte “shumë i shqetësuar për situatën në Ballkanin Perëndimor”, duke shtuar se “tensionet e panevojshme dhe kundërproduktive” midis Kosovës dhe Serbisë “po arrinin një nivel shumë, shumë të rrezikshëm”. “Fatkeqësisht jemi në prag të një krize të re.

Daudov tha se situata aktuale në botë është “e vështirë”, por se Rusia qëndron fort në mbrojtje të vlerave shpirtërore, tradicionale dhe familjare dhe ka hedhur poshtë “ideologjinë e huaj” të përfaqësuar nga Perëndimi.

“Por përkundër të gjitha vështirësive dhe presionit të jashtëzakonshëm të ushtruar nga Evropa, lidershipi dhe populli i Serbisë jo vetëm që nuk e kundërshtuan, por e mbështetën Federatën Ruse”, tha Daudov.

Serbia është përballur me kritika të ashpra për refuzimin e respektimit të sanksioneve dhe politikës së jashtme të BE-së dhe për mbajtjen e lidhjeve të forta miqësore me Moskën.

Ish ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq u detyrua të mbronte marrëveshjen për konsultimet për periudhën 2023-2024 të nënshkruar në shtator me homologun e tij rus Sergej Lavrov në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Në protestat në Serbi, shpesh ka pankarta me imazhin e presidentit rus Vladimir Putin dhe flamurin rus.

Lidhjet e Beogradit me Moskën vazhdojnë të shqetësojnë kryeqytetet perëndimore. Në fillim të këtij muaji, Gjermania paralajmëroi Serbinë kundër zhvillimit të lidhjeve më të thella me Rusinë, duke paralajmëruar se ajo mund të prishë përpjekjen e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Serbia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, por perspektivat e saj shihen si të zymta pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilën ajo refuzon ta njohë si vend të pavarur.

Situata në veri të Kosovës është bërë më e pasigurt javët e fundit pasi anëtarët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqjen nga institucionet e vendit në kundërshtim me kërkesën e qeverisë që të gjitha makinat në pronësi të qytetarëve të Kosovës duhet të kenë targa të Kosovës.

Analistët e sigurisë kanë paralajmëruar për një mobilizim të konsiderueshëm të serbëve më 21 nëntor, kur Prishtina do të fillojë zbatimin e vendimit, me plane për të synuar institucionet e boshatisura dhe për të bllokuar rrugët. /Ballkani.info/