Një person nga Klina nuk iu përmbajt rregullave të karantinës, dhe për rrjedhojë u infektua me koronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj. Ai me anë të një postimi në Facebook tha se personi i prekur është nga fshati Bokshiq i kësaj komune.

I njëjti, e kishte vizituar motrën e tij në Gjakovë që kishte rezultuar pozitive me koronavirus disa ditë më parë.

Postimi i plotë nga Elezaj:

Qytetarë të nderuar,

Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IPSHPK janë testuar 7 qytetarë të Komunës së Klinës, ku për fat të keq 1 person ka rezultuar pozitiv me virus.

Personi prekur është nga fshati Bokshiq, kontakt i personit të konfirmuar si i prekur me corona virus nga qyteti i Gjakovës.

Sipas informacioneve që kemi kontakti ka rrjedhë nga vizita që e konfirmuara nga Bokshiqi i Klinës i ka bërë motrës së saj në Gjakovë, e cila ka dalë pozitive disa ditë më parë.

Lus qytetarët që të kufizojnë vizitat qoftë edhe tek me të afërmit, sepse kjo mund të na kushtojë me përhapje edhe me të madhe të virusit, siç po tregon edhe rasti i fundit.

Ne lutemi për përmirësimin e shëndetit të tyre, por ajo që duhet të bëjmë është të rrisim kujdesin dhe të i respektojmë udhëzimet e mjekëve dhe vendimet e institucioneve, sepse rreziku për përhapje është i madh.

Shtabi Emergjent menjëherë do të filloj të hulumtoj kontaktet e mundshme që e infektuara ka pasur, të cilët do të udhëzohen në vetizolim dhe sipas nevoje do të iu bëhet edhe testimi.

Izolimi, masat mbrojtëse e higjiena janë vërtetuar si mundësia më e mirë për mposhtjen e këtij armiku të padukshëm.