Si u futën 1.1 tonë kokainë në Shqipëri me 3 kamionë frigoriferikë?

1.1 tonë drogë që u kapën mbrëmjen e kaluar në një magazinë frutash në Maqedoninë e Veriut kishin kaluar në pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër, me një kamion frigoriferik nga tre të tillë që drejtoheshin nga tre shoferë malazezë.

Siç mësohet së fundmi, kokainë ka pasur vetëm në njërin prej kamionëve, ndërsa policia shqiptare ka marrë udhëzim që të lejojë kalimin e mjeteve pa verifikime të ngarkesës.

Lënda narkotike është sinjalizuar që në Itali, prej ku autoritetet atje kanë bërë zëvendësimin e kokainës me një lëndë tjetër, duke mbajtur nën vëzhgim kamionët, për të zbuluar destinacionin e tyre, raporton Lapsi.al, transmeton Klan Kosova.

Ndërkohë, pasi kanë hyrë në Hanin e Hotit, mjetet i janë drejtuar pikës kufitare të Qafë Thanës, në Pogradec, duke kaluar në Maqedoninë e Veriut, aty ku u bë edhe ndërhyrja e autoriteteve. Në aksion u përfshinë DEA Amerikane, Guardia di Finanza, policia shqiptare dhe policitë e vendeve të tjera të rajonit.