S’i respektojnë marrëveshjet, por Serbia vazhdon të kërkojë afat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka thënë se është në interes të palës serbe dhe asaj shqiptare që çështja e Kosovës të zgjidhet, por sipas tij, jo sipas afateve të dikujt tjetër dhe nën presion.

Pavarësisht faktit që Serbia nuk po i respekton një sërë marrëveshjesh, Gjuriq ka kërkuar nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që të caktojë përfundimisht një afat për formimin e Asociacionit.

“Unë personalisht mendoj se kur bëhet fjalë për afatet, do të ishte e dobishme që zotëri Lajçak të caktojë përfundimisht një afat për formimin e Asociacionit”, tha Gjuriq në një intervistë për Kurir.

“Mbështetja e partnerëve tanë amerikanë dhe evropianë, në radhë të parë në zbatimin e marrëveshjeve dhe marrëveshjeve të mëparshme, si dhe në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë, është thelbësore për stabilitetin e rajonit. Ne do të vlerësojmë gjithmonë praninë dhe ndihmën e atyre që sinqerisht mbrojnë një rezultat kompromisi të bisedimeve”.

Së fundmi që u deklarua për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Serbi, Christopher Hill.

Sipas diplomatit veteran amerikan, për çështjen e Asociacionit “natyrisht që do të ketë një lloj marrëveshjeje”, dhe se për një gjë të tillë janë të informuar të dyja palët.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i paraqesë propozimet e saj në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Albanian Post.

Ai ka ritheksuar se nuk do të krijohet një entitet brenda Kosovës si “Republika Serbe” në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Kosova duhet të veprojë për këtë dhe ju e dini, sa më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën”, ka deklaruar ai për Dukagjinin.

Diplomati gjerman ka thënë se institucionet në Prishtinë e kanë obligim formimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën.

Por, kryeministri Albin Kurti gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, pati thënë se mund të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por jo mbi baza etnike, pasi sipas tij, “Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë”.

“Në mënyrën sesi është në frymë dhe germën e saj, nuk do të njihet. Duhet ta keni parasysh që në qendër të marrëveshjes për normalizim nuk është Asociacioni dhe nuk ka asnjë zyrtar amerikan që e thotë këtë gjë”, kishte potencuar Kurti.